Meta për Arjan Salën: Heroi ynë, i shpëtoi jetën shumë qytetarëve

Presidenti Ilir Meta ka bërë një postim në rrjetin social Facebook ku shkruan se 32-vjeçari, Arjan Sala i cili humbi jetën duke shpëtuar jetën e punonjësve gjatë zjarrit që ra në magazinën tek “Casa Italia”, në Tiranë është një hero

Presidenti shpreh ngushëllime familjarëve, ndërsa thekson me sakrificën e tij Arjan Sala hyri në zemrat e qytetarëve për t’u përjetësuar si simbol i vetëmohimit dhe shembull i vlerave të larta humane.

Reagimi i plotë:

ARJAN SALA, HEROI YNË!

Shumë dhembje, mirënjohje e respekt të thellë për këtë njeri të jashtëzakonshëm, që në kushte shumë të vështira, me ndjenjën e lartë të përmbushjes së detyrës, shpëtoi jetën e shumë qytetarëve duke qenë i ndërgjegjshëm se po humbte jetën e tij.

Me sakrificën sublime, Arjan Sala hyri në zemrat tona për t’u përjetësuar si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, shembull i mirësisë dhe i vlerave më të larta humane.

Mbi vetëflijimin e Tij uroj të ndërtohet një shtet më njerëzor, më i dhembshur, më social dhe më reagues, që nuk i braktis njerëzit në nevojë në momentet më të vështira, por që mendon për ta dhe i respekton me përulësi çdo ditë Heronjtë e thjeshtë e të heshtur dhe sakrificat e tyre në shërbim të komunitetit.

Ngushëllimet më të ndjera familjes!

Lutemi që shpirti i Heroit tonë Arjan Sala të prehet në paqen e merituar!

 

 

Shtuar 27.03.2021 10:03