Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta, ka dhënë një intervistë për emisionin “Më lër ta mbaroj” të Romeo dhe Donald Veshaj në X-Media. Gjatë intervistës, Meta ka deklaruar se gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë dhe se po ndjek një regjim ushqimor të caktuar.
Meta tha se ditën e kalon duke lexuar libra, pasi kontaktet njerëzore i ka shumë të kufizuara. Ai shtoi se gjatë ditës bën ushtrime fizkie, informohet mbi aktualitetin dhe botën përmes televizorit dhe gatuan sa për konsum vetiak.
Të lidhura
None found
Ish-presidenti tha se kjo perjudhë kohe ka shërbyer si për reflektim dhe për të sistemuar kujtimet e të kaluarës sipas temave të ndryshme.
Ai theksoi se reflektimi është në funksion të projektimeve për të ardhmen, për të cilën tha se ende ka filluar. I pyetur për marrdhënien e tij aktuale me Monika Kryemadhin, Meta zgjedh t`i përgjigjet shkurt. Ai tha se që na maji i vitit 2024 nuk ka zhvilluar një komunikim me të.
Meta tha se më shumë forcë gjatë këtyre ditëve i jep patriotizmi, për të cilin tha se është burimi i fuqisë së tij. I pyetur se cili do të ishte mesazhi që do t’u jepte qytetarëve shqiptarë, Meta thotë se ata duhet të bashkohen për të larguar ‘një të marrë’ nga pushteti që të jetonë të lirë në vendin e tyre.
Intervista e Ilir Metës:
Z.Meta, si është gjendja juaj shëndetesore aktualisht? Është komentuar se jeni dukur i dobësuar ne paraqitjen e fundit publike… a keni ndonje shqetësim konkret shëndetësor? A po merrni kujdesin e nevojshëm mjekesor gjatë qëndrimit në burg?
Shëndeti im kurrë nuk ka qenë më i mirë se këtë periudhë. Kjo shpjegohet me jetën e disiplinuar që i kam imponuar vetes dhe natyrisht edhe me kujdesin ndaj vetes, sidomos në aspektin e regjimit, ushqimit të përzgjedhur dhe stërvitjes fizike të vazhdueshme. Tensioni im si në mëngjes, si në drekë, si para stërvitjes dhe pas saj, mbetet gati fiks 7 – 11.
Si e përballoni stresin dhe presionin psikologjik ne këto kushte izolimi?
Këtu stresi është në nivelin zero, sepse ua theksova që në fillim parametrat e tensionit 7 – 11.
Po kështu edhe presioni psikologjik, pasi në jetën time kam përballuar situata shumë herë më të rënda dhe dramatike. Këtë periudhë e përjetoj si shkrimtar që ka marrë leje krijuese ose si një sportist që grumbullohet përpara një gare të madhe.
Si kalon një ditë tipike për ju në burg? Me çfarë aktivitetesh e mbani veten të angazhuar? A lexoni apo shkruani gjate kesaj periudhe? Nëse po, çfarë?
Dita kalon pa e kuptuar, shokët më të mirë janë librat pasi kontaktet njerëzore i kam shumë të kufizuara. Leximi dhe të shkruarit më merr pjesën më kryesore të kohës. Natyrisht që ndjek lajmet nga TV se çfarë ndodh këtu dhe në botë. Përveç ajrosjes edhe në qeli bëj disa herë në ditë stërvitje dhe ushtrime fizike. Natyrisht që edhe gatuaj vetë dhe pastroj. Pastrimi është shumë i mirë edhe për stretching. Nuk dua t’ju heq kuriozitetin për të lexuar librin tim të parë, ku do të kuptoni se cilët faktorë e kishin të domosdoshëm pengmarrjen time politike, e cila në fakt është gjeopolitike, pasi synonte dhe synon asgjësimin e faktorit më koherent për integrimin e vërtetë europian dhe euroatlantik të Shqipërisë.
Por jo vetëm kaq, por edhe si bllokues edhe për shkak të detyrës si President të projektit për copëtimin e Kosovës që shitej nga Rama e Soros si projekt “amerikan” dhe “europian”, duke përdorur mbështetjen e Sorosit, fondacioni i të cilit kishte bërë edhe studimin e fizibilitetit për “shkëmbimin e kufijve” që nuk ishte i tillë, pasi kurrë tre komunat në Veri të Kosovës nuk do të këmbeheshin me tre komunat e Kosovës Lindore në Serbi (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë). Por “shkëmbimi” ishte mbulesa për të justifikuar gjymtimin e Kosovës dhe rrëmbimin e burimeve natyrore më vitale të saj. Asnjëherë në administratën amerikane nuk ishte diskutuar një ndryshim i tillë i politikës ndaj Kosovës. Por falë lobimit të fortë të Serbisë dhe Sorosit, disa diplomatë amerikanë në Departamentin e Shtetit u vunë në funksion të kësaj ideje destabilizuese për rajonin tonë, por edhe antiamerikane në thelb, pasi shteti i Kosovës ishte dhe mbetet një investim së pari i SHBA-ve. Këta diplomatë shfrytëzuan zëvendësimin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, të gjeneralit McMaster me ambasadorin Bolton dhe i shkëputën këtij një deklaratë shumë evazive për ta trumbetuar si mbështetje të Presidentit Tramp për shkëmbimin e kufijve.
Po kështu shfrytëzuan Znj. Mogherini atë kohë si shefe e politikës së jashtme të BE për të pranuar temën e “ndryshimit të kufijve”, e cila minon vetë themelet e krijimit të Bashkimit Europian. Por reagimet në Kosovë, Shqipëri (përveç Ramës) Berlin, Londër e vetë Uashingtoni kur e kuptuan se çfarë pasojash mund të vinin, e paralizuan atë projekt që ende sillet si fantazmë sot për t’u rishfaqur si alternativë nesër nëse rrethanat do të jenë të favorshme. Sepse është e qartë se në Serbi ndodhi një vrasje gjeopolitike në Mars 2003 siç qe ajo e Kryeministrit të atëhershëm Zoran Gjingjiç, i vetmi që kishte vizionin dhe vullnetin për ta nxjerrë Serbinë nga rrethi vicioz as Lindje, as Perëndim dhe që donte seriozisht ta integronte në Bashkimin Europian.
Që tëherë Serbia vetëm ka bërë manovra për t’i marrë fondet BE-së, por për t’iu shmangur anëtarësimit real, sepse nuk ka vullnet për të pranuar realitetin e ri që është shteti i Kosovës. Ndaj Serbia shpiku edhe “Ballkanin e Hapur” si një alternativë ndaj Procesit të Berlinit dhe vetë anëtarësimit në BE, i cili kërkon plotësimin e disa kritereve politike e në fushën e shtetit të së drejtës dhe ligjit që cmontojnë autokratët duke garantuar demokraci funksionale dhe llogaridhënie. Kjo është edhe arsyeja pse Rama u bë një ndjekës i “Ballkanit të Hapur”, e madje shtirej edhe si bashkëautor, kur de facto ishte vetëm një shërbëtor i idesë së projektuar në Beograd.
Mos harroni se qëndrimi kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës i kushtoi karrierën politike edhe Ministrit të Jashtëm socialist, Z. Bushati, përgjithmonë.
Ishin ata diplomatë amerikanë dhe europianë që mbështesnin “Ballkanin e Hapur”, ku në çdo samit ishte Aleks Soros që mbështetën kapjen antikushtetuese të “drejtësië së re” nga Edi Rama si domosdoshmëri që ky të zhdukte nga skena politike të gjithë kundërshtarët e tij politikë që mbronin interesat kombëtare. Ndaj edhe SPAK-u merrte direktivat nga Asambleja e PS nga Edi Rama për të arrestuar Berishën dhe Metën. Pra unë jam rrëmbyer si dikur Aldo Moro në Itali dhe mbahem peng vetëm për arsye gjeopolitike. Sepse nëse kjo do të ishte për ti shërbyer luftës kundër korrupsionit, Shqipëria do të ishte përmirësuar me 11 vende në renditjen e Transparency Internacional gjatë vitit të fundit dhe nuk do të ishte përkeqësuar me 11 vende siç e ritheksoi edhe dje rezoluta e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Si mund të akuzohet për korrupsion një politikan kur nuk ekziston asnjë fakt penal dhe asnjë akt, shkresë, vendim në cënim të ligjit apo interesit publik. Po kështu kur nuk i është sekuestruar asnjë qindarkë? Ndërsa për Edi Ramën do mjaftonte vetëm shkresa e tij për të shpallur fituese kompaninë e inceneratoarëve, që nuk ishte krijuar ende, që gjykata ta shpallte fajtor. E në këtë rast nuk ka nevojë fare as për hetim dhe as për dëshmitarë.
A keni pasur momente reflektimi për karrierën ose vendimet tuaja? A ka diçka që do ta kishit bërë ndryshe në të kaluarën?
Natyrisht që kjo periudhë shërben edhe për reflektim dhe sidomos për të sistemuar kujtimet e të kaluarës sipas temave të ndryshme. Por reflektimi është në funksion të projektimeve për të ardhmen, e cila për mua nuk ka filluar akoma. Unë këtë periudhë nuk e përjetoj si periudhë mundimi, por si periudhë trainimi për sfidat që më presin. Për të kaluarën nuk kam arsye të ndryshoj dicka, por për të ardhmen patjetër. Cilet jane miqte qe ju qendrojne afer ne keto kohe? Miqtë janë të pafund dhe ata pavarësisht se ku ndodhen, bëjnë më të mirën dhe unë u jam shumë mirënjohës për kujdesin e tyre pa zhurmë. A keni folur ne telefon me zotin Berisha?
Jo, pasi këtu nuk mund të flasësh as me Tedi Blushin që e kishte numrin të regjistruar dhe që prej një viti ia çregjistruan në mënyrë të paligjshme siç ka konstatuar edhe Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Por me Z. Berisha kemi qenë dhe mbetemi në komunikim.
Po kështu me Znj. Albana Vokshi që dua ta falenderoj për angazhimin e saj ndërkombëtar për çështjen time.
Apo me Z. Klevis Balliu që insistoi heroikisht derisa hyri brenda burgut.
Si po e përjeton familja juaj këtë periudhë? A keni mundësi të komunikoni ose takoheni rregullisht me fëmijet tuaj?
Me fëmijët dhe motrën takohem 4 herë në muaj normalisht. Me prindërit u bënë 20 muaj që nuk i kam takuar, pasi nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore. Por ata janë të fortë, pasi edhe prindërit e tyre kanë qenë shumë të fortë dhe kanë kaluar situate shumë më të vështira.
Si ështe sot marredhenia juaj me zonjën Kryemadhi? A keni pasur komunikim gjatë kësaj kohe?
Që nga Maji 2024 nuk kam asnjë komunikim.
Cfare ju jep me shumë force në këtë moment te vështirë?
Patriotizmi është burimi i fuqisë time të pashtershme. Po kështu vlerat e larta morale, jo vetëm të dy prindërve të mi, por në veçanti të dy gjyshërve të mi, të cilët kanë qenë burra të rrallë e shumë të respektuar. Besimi në të ardhmen është një burim tjetër i fuqisë time. Pa sakrifica, nuk ka begati. Cfare do te beni diten qe do dilni nga burgu? A e shihni veten serish aktiv ne politike? Karriera ime politike ende s’ka filluar. Gjithçka deri tani është vetëm një trainim për të Ardhmen.
A keni ndonjë mesazh për mbështetësit tuaj në këtë moment?
Kohët më të mira janë përpara nesh. Por ato vijnë duke lëvizur dhe jo duke pritur, duke luftuar dhe jo mënjanuar, duke besuar dhe jo justifikuar, duke marrë përgjegjësi dhe jo shpikur “alibi”.
Çfarë mesazhi do t’i jepnit qytetarëve shqiptarë sot?
Luftoni për fëmijët tuaj që të mos vriten në oborret e shkollave, që të mos drogohen pa e filluar jetën, që të mos ëndërrojnë largimin nga vendi, që të mos mbeten pa Atdhe. Zgjidhja është e thjeshtë, bashkohuni për të larguar një të marrë nga pushteti që të jetoni të lirë në vendin tonë të mrekullueshëm që duhet të ketë Diell për të gjithë shqiptarët.
