Mes Bashës dhe Berishës, kë do të mbështesin në 6 mars? Flasin aleatët

Partitë politike kanë nisur zyrtarisht përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashkitë pa kryetarë që janë dekretuar nga presidenti Ilir Meta të mbahen në datën 6 Mars.

Partia Socialiste njoftoi sot se nuk e ka ende listën e kandidatëve, por theksoi se do të përjashtohen deputetët dhe personat që janë djegur njëherë nga ligji i dekriminalizimit duke i prerë shpresat në këtë mënyrë Valdrin Pjetrit për Shkodrën.

Në kampin tjetër, demokratët duken të përçarë. Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit kanë nisur sot të parin proces përzgjedhjeje kandidatësh për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Nga ana tjetër PD-ja zyrtare përmes nënkryetares Jorida Babaku tha sot në një deklaratë për mediat se do të ftojnë aleatët për të krijuar një front opozitar përballë maxhorancës.

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha për Abcneës.al se nuk ka ende një ftesë nga Basha dhe në momentin që do të ketë një diskutim dy palësh do të bëjë publik qëndrimin e tij. “Nuk kam marrë ftesë zyrtare nga PD. Nëse marr ftesë do të flas për qëndrimin tim”, tha ai.

Nga ana tjetër, kreu i LZHK Dashamir Shehi është i vendosur për një variant të mesëm. Shehi kërkon që të ngrihet një komision për të zgjedhur një kandidat të vetëm për çdo bashki pasi në të kundërt, thekson ai, favorizohet Rama.

“Ne si LZHK jemi që të dalim me një kandidat të përbashkët. Të ngrihet një komision për të zgjedhur një kandidat. Nëse bëhen 2-3 kandidatë ia bëjmë peshqesh Edi Ramës. Këto zgjedhje nuk duhet të kthehen në garë mes opozitës. Nëse nuk arrihet dakordësi ne nuk shkojmë me asnjërën palë”, thotë Shehi. Se si mund të konkretizohet ky proces për një kandidat të përbashkët Shehi do të flasë sonte në “Log.” në ABC në orën 21:00.

Aleati tjetër që doli në zgjedhjet e 25 prillit krah demokratëve, kreu i PAA Agron Duka tha sot për ABC se nuk ka asnjë ftesë nga Basha. Ai theksoi se ka pasur një takim me Berishën por shton se bërja e një koalicioni nuk i ndihmon bashkimit dhe përçarjes.

“Me Bashën nuk jemi takuar. Nuk kemi asnjë lloj ftese. Gjasat janë që nuk do ketë takim. Sepse për një javë fillojnë regjistrimet. Nga zoti Berisha kemi pasur takim Unë personalisht e kam takuar. Kemi vendosur të mbështesim një kandidaturë që na duket më e përshtatshme për një bashki të caktuar.

Kjo mund të jetë e një grupi apo edhe një grupi tjetër. Bërja e një koalicioni me Bashën tashmë nuk është se kemi ndonjë kërkesë, por me Berishën që kemi një farë kërkese nuk i ndihmon bashkimit, por i ndihmon përçarjes”, shprehet Duka./abcnews.al/