Mërgim Pefqeli duket se po i afrohet fundit të qëndrimit të tij te Dukagjini, ndërsa e ardhmja e mesfushorit ofensiv te skuadra nga Klina mbetet ende e hapur.
Telegrafi mëson se marrëveshja e 24-vjeçarit përfundon më 30 qershor të këtij viti, ndërsa në këto rrethana mundësitë për rinovim mes dy palëve duken të pakta.
Të lidhura
None found
Futbollisti u transferua te Dukagjini para dy vitesh dhe gjatë kësaj kohe u shndërrua në një prej elementeve kyçe të ekipit, falë paraqitjeve të tij dhe ndikimit të rëndësishëm në lojë.
Sipas burimeve të Telegrafit, interesimi për të tashmë është konkretizuar nga disa klube.
Aktualisht, ai ka marrë dy oferta nga ekipe të Superligës së Kosovës, si dhe një ofertë nga Superliga e Shqipërisë, ndërsa vendimi për hapin e radhës në karrierë pritet të merret në javët në vijim.
Pas një sezoni pozitiv, kërkesa për shërbimet e tij ka qenë e pranishme. Në edicionin e fundit, Pefqeli luajti 36 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar pesë gola dhe duke dhuruar gjashtë asistime.
Një prej arritjeve më të spikatura gjatë periudhës së tij te Dukagjini ishte fitimi i Kupës së Kosovës, trofe që klubi e siguroi pas një sezoni historik.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i radhës për Mërgim Pefqelin, teksa alternativat e tij për momentin janë nga elita e futbollit të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.
