Me zemrën e thyer nëna e Leo Sadikut, babai, motra dhe familjarët janë mbledhur para ambienteve të Ministrisë së Shëndetësisë duke ngritur zërin e duke kërkuar drejtësi për të voglin e tyre të cilit iu pre jeta në mes më 8 janar në ambientet e Spitalit Universitar Nënë Tereza.
Me lotët që i lanin fytyrën dhe zërin që i dridhej motra e Leos kërkoi drejtësi për vëllain e saj duke drejtuar gishtin nga bluzat e bardha dhe duke i akuzuar për neglizhencë mjekësore ndaj vëllait të saj.
“Disa mjekë që enden nëpër spitale dhe vazhdojnë jetën e tyre të lirë ndërkohë që vëllai im është aty, është nën dhe. Nuk do ja fal kurrë që mjekësia shqiptare më vrau vëllain. Vranë atë që mami dhe babi im sakrifikuan 12 vite për ta rritur. Ata e vranë pa pikë mëshirë.
Shokët e presin të luajë futboll, ndërkohë mjekësia nuk bëri asgjë. Vëllait tim nuk iu bë asnjë ekzaminim. Si i vendosin diagnozë kur nuk i kanë bërë një skaner, një eko. Prindërit tim vetëm qajnë. Nuk do ia fal asnjëherë. Unë do luftoj për drejtësinë e vëllait të madh. Ata e vranë Leon. Dhe këtë mos guxojë ta mohojë askush”, tha ajo.
Ndërkohë, paralelisht me këtë protestë disa metra më larg, pikërisht jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli”, ishin mbledhur familjarët e Martin Canit.
Sapo i ati i Martinit dhe qytetarët e mbledhur të cilët kërkojnë drejtësi për vrasjen e 14-vjeçarit u vunë në dijeni për protestën që po zhvillohej para Ministrisë së Shëndetësisë vendosën që t’i bashkohen.
Kujtojmë se Leo Sadiku humbi jetën pasditen e 8 janarit në ambientet e Spitalit Universitar Nënë Tereza. Nëna e 12-vjeçarit, djaloshit me ëndrrën e madhe për tu bërë futbollist, ka akuzuar mjekët për neglizhencë.