Me kanun e pistoletë me mulli, 17-vjeçari mori gjakun e babait! Gjithë dinamika e ngjarjes që solli tragjedinë në Lezhë

Të hënën, 24 janar, Lezha është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Një adoleshent, 17 vjeç, Florian Përvathi, ka vrarë me armë zjarri 65-vjeçarin Lekgjonajn me armë zjarri.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Manat. Duket se gjithçka e kishte planifikuar. Ditën e djeshme, 17-vjeçari i armatosur ka shkuar në shtëpinë e të vëllait të viktimës, i cili i kishte vrarë të atin. Ai e ka pritur 65-vjeçarin dhe në momentin që ky i fundit ka zbritur nga makina e ka qëlluar duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Deklarata e 17-vjeçarit:

Autori, pas vrasjes, është dorëzuar në polici, dhe ka pranuar krimin. Në dëshminë e tij, 17-vjeçari ka pranuar se vrasjen e kreu për gjakmarrje, për të marrë në këtë mënyrë hakun e babait të tij, por në asnjë moment nuk ka shfaqur pendesë. 17-vjeçari nuk ka treguar kush e dërgoi në komisariat pasi kreu vrasjen, ndërsa do të rimerret sërish në pyetje në prani të psikologëve, pasi gjendja e tij është tepër e rënduar. Ai u shprehn se pistoletën me mulli e kishte qysh prej një viti.

Çfarë ka ndodhur në 2009?

Në vitin 2009, Gjon Përvathi (babai i 17-vjeçarit)  ishte vrarë nga vëllai i Lekë Lekgjonajt (viktima e djeshme), Ndue Lekgjonaj. Pas vrasjes, Ndue Lekgjonaj u arrestua dhe kreu dënimin për vrasje duke dalë së fundmi nga burgu. Ai nuk u kthye më në fshatin Manati duke iu trembur hakmarrjes nga familja e Përvathit. Por, tragjedia i ndodhi vëllait të tij. Floriani, aso kohe ka qenë shumë i vogël dhe pas humbjes së babai, humbi dhe nënën, e cila u vetëhelmua. Duke humbur të dy prindërit në një kohë shumë të shkurtër, ai u rrit me synimin për të marrë hakun e babait ndaj fisit Lekgjonaj për të vënë në vend drejtësinë e munguar. Sot fëmija që u rrit pa baba, që humbi nënën përpara syve nga hidhërimi u vetëdorëzua duke mbyllur kështu ditët e tij në emër të asaj që ligji nuk e bëri.

Kanuni dhe çfarë tha kryetari i pajtimit të gjaqeve në Lezhë?

Kryetari i Pajtimit të gjaqeve ne Lezhë ka folur në lidhje me ngjarjen duke rikthyer edhe njëherë në vëmendje fenomenin e gjakmarrjes.

Gjoka tha se dy familjet nuk ishin pajtuar, por mes tyre nuk kishte pasur përplasje gjatë kohëve të fundit, ndaj edhe ngjarja e sotme i ka habitur të gjithë. Ai tregoi edhe një episod kur viktima Lek Lekëgjonaj i kishte shkuar në shtëpi pak ditë pasi i vëllai kreu krimin.

“Disa mediat thonë që ka qenë pajtua. Nuk është e vërtetë. Ne kemi hyrë me ato mundësi që kemi pasur pastaj ne e pamë që nuk mund të komunikonim gjatë. Fëmijët ishin të vegjël. Bashkëshortja e viktimës në 2009 u vetëvra. Nuk kishin se si dhe me kë të komunikonim. Por sa kemi mundur me njerëzit e afërt të kësaj familje jemi përpjekur të ulim gjakrat dhe nuk e kemi pritur pasi edhe gjatë kësaj periudhe mes dy familjeve nuk ka pasur gërricje. Katër pesë ditë pasi ndodhi ngjarja viktima më ka ardhur në shtëpi.

Më ka thënë si do bëj unë. I kam thënë duhet të bësh kujdes sepse ai që ka vrarë është vëllai jot. Ai më thoshte unë nuk kam faj. Por nuk funksionojnë kështu gjërat. Kur kërkoi të dilte nga shtëpia ime i thashë jo. Kush të solli këtu, më solli një makinë. E ka marrë atë shokun dhe erdhi me makinë e mori. E kam takuar para dy muajsh. Nuk kishin ndonjë shqetësim. Autori i vrasjes ka mbaruar dënimin. Është dënuar 6-7 vjet. Ka bërë 4-5 vjet burg. Nga informacionet që kam unë ai ndodhet jashtë shtetit”, u shpreh ai.

Edhe duke qenë njerëz të përgjegjshëm të viktimës para 9 viteve kur nuk ke me kë të merresh vesh se ata ishin kalamaj fare, të mitur. Nuk kishte kush ta merrte përsipër. Qoftë edhe kushërinjtë e viktimës. Por deri në këtë moment që ndodhi askush nuk e ka pritur se mund të ndodhë kjo. Edhe tani është çudi e madhe. Si ka mundësi që një adoleshent të ruajë me kaq mllef dhe të veprojë për gjakmarrje në ditët e sotme. Gjakmarrja është fenomen i vjetërsuar. Por edhe te të rinjtë nuk duhet nënvleftësuar.

Unë edhe në intervista e kam thënë që organet e drejtësisë deri tani kanë qenë pjesë e këtij fenomeni. Ai tjetri bën vrasjen dënohet katër pesë vjet dhe për një vit e sheh aty të lirë. Të paktën dënimin nga shteti dhe ligji duhet ta marrë maksimalisht. Janë pjesë e të keqes. Shpresojmë që këtë problem, problemet e ligjit për gjakmarrjen shteti i ka forcuar shumë. Nëse ndodh një vrasje për gjakmarrje dënohet minimalja 25 vjet. Por në këtë rast është tjetër logjikë juridike. Mund ta quajmë adoleshent. Ka përjetuar mungesën e prindërve për vite me radhë gjë që atij i ka mbetur në kujtesën e tij për t’u hakmarrë”, tha ai.

Çfarë thonë ekspertët kriminalistik?

Ekspertët kriminalistik besojnë se 17-vjeçari është shtyrë nga persona të tjerë për të kryer krimin e rëndë.

Eksperti për çështjet ligjore, Ervin Karamuço, ka thënë se arma me mulli është shumë e rrallë dhe e shtrenjtë, gjë që tregon se atij ia kanë dhënë persona të përfshirë në krime.

Karamuço shtoi se me një armë të ngjashme u vra dhe bankieri Artan Santo vite me parë në Tiranë.

Veçantia e këtyre armëve sipas tij është se këto armë janë të sigurta dhe nuk lënë gëzhoja në vendin e ngjarjes.

“E la armën e zjarrit dhe u dorëzua. Problemi nuk qëndron aty se ai akti pritej. Dhe gjithë cikli i jetës së tij apo rrjeti shoqëror do e sillte këtë rezultat. Dhe kjo varej vetëm tek vendoja e tij. Problemi është tek arma. Se ky është pjesë, apo personi që ja ka dhënë është pjesë e një organizata. Se janë armë të rralla kalibri 22 . Nuk lënë gëzhoja me mulli. Përdoren nga killer profesionist. E njëjta arma e ngjashme me këtë vetëm më e madhe, është përdorur për vrasjen e Santos. E them për herë të parë. Ai që ka vrara benkierin është e njëjta llojë arme është identifikuar vetëm nga pamjet filmike. Dua të them që këto armë janë në qarkullim. Se ajo vlerën e ka 4-5 mijë dollar, prodhohet në SHBA” tha eksperti./albeu.com