Kontroll me drone dhe radarë, “Rrugorja” ndëshkon shoferët: 15 të arrestuar dhe 2881 gjoba në 24 orë

Policia Rrugore në të gjithë vendin vijon kontrollin e pandërprerë në të gjitha akset rrugore nacionale dhe në qendrat urbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Në fokusin e kontrolleve të përqendruara nga Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore në DVP Tiranë dhe me Sektorët e Policisë Rrugore në 11 Drejtoritë Vendore të Policisë, janë shpejtësia mbi normat e lejuara, mosrregullimi i shpejtësisë, veçanërisht në qendrat e banuara, sjelljet agresive dhe manovrat e rrezikshme në rrugë, drejtimi i mjeteve pas përdorimit të alkoolit, parakalimet e gabuara, mospërdorimi i rripave të sigurisë, si dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjeteve.

Gjatë 24 orëve të fundit, në akset rrugore nacionale dhe në qendrat urbane, si rezultat i përdorimit të radarëve janë evidentuar dhe ndëshkuar shumë drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi që varionte nga 111 km/orë në qendrat e banuara dhe deri në 180 km/orë në aksin rrugor Levan –Vlorë.

30-vjeçari E. C., nga Fieri, i cili drejtonte mjetin tip “Audi” me shpejtësi 180 km/orë, në aksin Levan –Vlorë, u konstatua dhe u ndëshkua nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore.

Ndërsa gjatë kontrollit me alkooltestues janë ndëshkuar drejtues mjetesh që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit me masa që varionin nga 0.34 mg/l deri në 0.90 mg/l.

Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 15 drejtues mjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim mjeti te pa pajisur me leje drejtimi.

Janë pezulluar gjithsej 67 leje drejtimi, nga të cilat 39 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 28 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Gjithashtu  janë ndëshkuar me masë administrative 2881 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri./albeu.com


Shtuar 28.06.2021 16:25