Mbi 100 kg kokainë në banane, policia zbulon si erdhi nga Ekuadori në Shqipëri

Ditën e djeshme u kap një ngarkesë prej më shumë se 100 kg kokainë që vinte nga Ekuadori.

Strukturat hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit kanë marë informacion se disa persona ende të paidentifikuar kanë ndaluar në Romanat të Durrësit, një kamion që transportonte një kontenier të ngarkuar me banane nga porti i Durrësit, për një magazinë në Vaqarr.

Bazuar në informacionin e marrë, strukturat hetimore të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Romanati”.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve hetimore të koordinuara u bë e mundur gjetja e kontenierit të ngarkuar me banane. Gjatë kontrollit në brendësi të tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 119 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se konteineri ka kaluar tranzit në një port në Itali, ku autoritetet ligjzbatuese italiane kanë konstatuar mungesën e plumçes (vulës), për këtë arsye kanë ushtruar kontroll dhe kanë konstatuar mungesë të arkave me banane. Pas këtij konstatimi kanë mbyllur dhe riplumbosur kontenierin, duke e shoqëruar me procesverbalin përkatës.

Konteineri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas veprimeve të zhdoganimit dhe kontrollit në skaner ka rezultuar i pastër dhe ka dalë nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të qytetit të Tiranës.

Përgjatë rrugës nacionale Durrës – Tiranë, në vendin e quajtur Romanat, kamioni që transportonte kontenierin është ndaluar nga persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe kontenierin me banane dhe më pas janë larguar me shpejtësi pas kontrollit të kontenierit. Për këtë situatë, përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit.

Në vijim të veprimeve, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë u bë ndalimi i shtetasve: H. S., 63 vjeç dhe G. K., 31 vjeç,  banues në Tiranë, drejtues të  automjeteve të firmës. M. M., 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një firme import-eksporti me vendet e Amerikës Latine.

Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë ushtruar kontroll në kamionin që transportonte kontenierin me lëndë narkotike.

Ndërkohë, në bashkëpunim me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtj rasti, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal./albeu.com


Shtuar 31.12.2021 10:57