Mbajti hapur lokalin pas orës së përcaktuar, gjobe 1 milion lekë pronarit

Policia ka ndëshkuar me gjobë 1 milion lekë shtetasin S. D., pasi ka mbajtur hapur lokalin në Durrës pas orës së përcaktuar për mbyllje.

Gjithashtu është arrestuar një shtetas, për veprën penale “Dhuna në familje”, procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, për veprën penale “Pushtim toke”.

Njoftimi i policisë:

DVP Durrës

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës vijojnë kontrollet me qëllim garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e subjekteve që vijojnë aktivitetet pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente.

Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasin S. D., pronari i një subjekti që u konstatua duke vijuar aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasin K. H., 23 vjeç, banues në Rrushkull, Durrës, pasi në banesë, ka dhunuar për motive të dobëta, kushëririn e tij, shtetasin A.(J). H., 39 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë proceduan penalisht shtetasit L. S., dhe J. S., banues në Gramëz, Krujë, pasi prej vitesh i kanë zaptuar një sipërfaqe toke shtetasit Gj. C.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 12.07.2021 11:39