Maqedoni e Veriut: BDI shënon 20 vjetorin e themelimit

Në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim po shënon 20 vjetorin e themelimit. Partia vazhdon të ketë mbështetjen më të madhe të elektoratit shqiptar në vend dhe megjithë pakënaqësitë e shprehura në publik dhe akuzave nga partitë rivale, ajo ka pasur jetëgjatësinë më të madhe në pushtet mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut. BDI-ja e konsideron paqen ndëretnike në vend si arritjen më të madhe, ndërsa thekson synimet për integrimin e shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian.

Bashkimi Demokratik për Integrim po e feston 20 vjetorin e themelimit, prej të cilave rreth 18 ka qenë pjesë e qeverisjes. Kryetari i saj, Ali Ahmeti pasi hoqi uniformën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në vitin 2001 dhe pas dështimit për formimin e një këshilli ndërpartiak shqiptar në Maqedoninë e Veriut, veshi kostumin e udhëheqësit të partisë, në krye të së cilës vazhdon të jetë ende.

Ai në disa raste ka theksuar se do ta linte postin pasi Maqedonia e Veriut të bëhej anëtare e NATO-s, apo pasi të arriheshin avancime të caktuara për shqiptarët e këtij vendi.

Festimet e BDI-së që sipas disa llogaritjeve të përfolura në mediat e vendit kapin shumën e 100 mijë eurove, kanë nxitur megjithatë një lloj pakënaqësie tek shqiptarët e vendit, në një kohë kur po thellohet kriza ekonomike dhe shporta e konsumatorit po shtrenjtohet për çdo ditë.

Kryetari i BDI-së Ahmeti theksoi gjatë një fjalimi në Shkup arritjet e dala nga Marrëveshja e Ohrit që rezultuan pajtimin, barazinë nëpërmjet demokracisë konensuale, siç tha, dhe përfaqësimin e drejtë:

“Të gjithë bashkërisht i gëzohemi, në radhë të parë paqes, pajtimit, zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, barazisë dhe drejtësisë, demokracisë konsensuale; Integrimit të brendshëm rajonal dhe atij euor-amerikan si dhe të ardhmes ‘axhendës së blertë’. Paqja dhe pajtimi në vendin tonë u arrit në bashkëpunim me partitë politike maqedonase nëpërmjet marrjes së përgjegjësisë së përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjes së pajtimit përfundimtar midis komuniteteve”, tha ai.

Manifestimin e sotëm të BDI-së në lagjen Çair të Shkupit e ndoqën kryeministri Dimitar Kovaçevski me bashkëpunëtorë të tij të kabinetit qeveritar.

Zoti Ahmeti tha se ky 20 vjetor i përkushtohej rinisë dhe dy dekadave të ardhshme, teksa ftoi ata të cilët janë të gatshëm për këtë udhëtim që ta ndjekin atë. Me këtë thirrje ai duket se po hedh poshtë spekullimet nëpër disa media se po bëhet gati të tërhiqet nga politika dhe për t’ia lënë vendin e kreut të partisë një politikani më të ri./voa


Shtuar 5.06.2022 18:21