Parlamenti i Malit të Zi ka votuar ndryshimet kushtetuese që parashikojnë heqjen e plotë të imunitetit për kryeministrin dhe anëtarët e kabinetit qeveritar. Pas këtij vendimi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, krahasoi zhvillimet në vendin fqinj me situatën në Shqipëri.
Bardhi deklaroi se qeveria shqiptare ka zgjedhur të veprojë në drejtim të kundërt. Ai kujtoi se, pasi SPAK kërkoi pezullimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Edi Rama propozoi ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, me synimin për t’i hequr drejtësisë mundësinë e pezullimit të funksionarëve të lartë.
Të lidhura
None found
Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, mbështetja politike ndaj Ballukut dhe refuzimi i mazhorancës për heqjen e imunitetit të saj kanë cenuar procesin e integrimit të Shqipërisë, duke bërë që Brukseli të vendosë kushte të reja.
Bardhi theksoi se ndryshimi thelbësor mes dy vendeve lidhet me vullnetin politik për përballjen me korrupsionin.
Në përfundim, ai deklaroi se dallimi ndërmjet atij që e cilësoi si “Kryeministri i Europës” në Mal të Zi dhe “Kryeministri i Korrupsionit” në Shqipëri është si nata me ditën. Sipas Bardhit, njëri i garanton drejtësisë liri të plotë, ndërsa tjetri i krijon barriera ligjore. Ai shtoi se Shqipëria nuk duhet të mbetet peng i problemit personal të Edi Ramës dhe se, për t’i shërbyer interesit të vendit dhe ecjes së tij përpara, Rama duhet të largohet.
