Mali i Zi/ Qeveria e Dritan Abazoviç nuk i mbijeton mocionit, rrëzohet nga pushteti

Qeveria e Dritan Abazoviqit në Mal të Zi, u rrëzua pasi parlamenti votoi në orët e para të së shtunës në favor të mocionit të mosbesimit ndaj saj, që u ndërmor pasi kabineti votoi pro-marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe.

Për shkarkimin e qeverisë votuan 50 deputetë të pranishëm, kurse një
deputet ishte kundër. Të paktën 41 nga 81 vota të parlamentit ishin të nevojshme për të rrëzuar qeverinë.

Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit Milo Gjukanoviq, Demokratët, Partia Socialdemokrate, Partia Liberale , Partia Boshnjake dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve votuan në favor të humbjes së votëbesimit.

Në votim nuk morën pjesë deputetët e Frontit Demokratik, Partisë
Popullore Socialiste dhe të koalicionit “E zeza mbi të Bardhën”.

“Njoftoj se Qeveria e 43-të e Malit të Zi ka humbur votëbesimin”, tha kryetarja e Kuvendit Danijela Gjuroviq pas takimit.

Zoti Abazoviq tha se e pranonte humbjen po menjëherë fajësoi lidhjet me krimin e organizuar për rënien e qeverisë së tij.
“Përgëzoj koalicionin e ri të (Alekse) Beçiqit dhe Gjukanoviqit, jemi gati të pranojmë humbjen. Më vjen keq që krimi i organizuar në Mal të Zi vazhdon të përdorë tentakulat e tij për të rregulluar marrëdhëniet politike”, tha zoti Abazoviq.

Ai shtoi se nëse formohet qeveria e re para zgjedhjeve, ai nuk do të marrë pjesë në to.

Mocioni ishte kërkuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit Gjukanoviq, dhe disa parti të tjera.

Të premten në mbrëmje para votës së mosbesimit, një grup deputetësh të parlamentit të Malit të Zi që mbështesin kryeministrin Dritan Abazoviq, kishin nënshkruar një nismë për ristrukturimin e qeverisë.

Nisma për ristrukturimin rezultoi e mjaftueshme për të shmangur votën e mosbesimit.

Partitë që kërkuan votëbesimin e qeverisë, thanë se e morën nismën për
shkak të ndalimit të Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shtimit të tensioneve ndëretnike në vend. Ata thanë se në vend që të ndjekë rrugën evropiane, qeveria po kryen eksperimente politike.

“Pas qeverisë së ekspertëve dhe (qeverisë) së pakicës, Mali i Zi nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje për një qeveri legjitime”, tha Danijel Zhivkoviq, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Socialiste, të presidentit Milo Gjukanoviq.

Kryeministri Abazoviq tha se kërkesa për rrëzimin e qeverisë nuk kishte të bënte me proceset europiane, por me marrëveshjen që qeveria e tij arriti me Kishën Ortodokse Serbe.

“Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj
interesave kombëtare dhe mos u fshihni pas evropianizmit tani”, tha zoti
Abazoviq.

Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe shkaktoi përplasje brenda koalicionit qeverisës që në fillim. Një pjesë e partive qeverisëse, theksuan se marrëveshja është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet malazeze.

Edhe shoqëria civile dhe analistë të pavarur patën vërejtje serioze për përmbajtjen e Marrëveshjes. Në fillim të gushtit, kryeministri Abazoviq i refuzoi zyrtarisht të gjitha kundërshtimet e organizatave joqeveritare, Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, si dhe institucioneve të tjera në vend.