LVV dorëzon në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarje të Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën e nënshkruar nga 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.

Këtë e bëri të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, Nagavci ka shkruar se njëkohësisht kanë kërkuar nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.

“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit. Roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Nagavci.

Tutje ajo ka thënë se çdo veprim jashtë këtyre kufijve përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe cenim serioz të parimit themelor të ndarjes së pushteteve, të sanksionuar në nenin 4, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj. Përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë jo vetëm që dëmtojnë rendin kushtetues, por rrezikojnë edhe vetë funksionimin demokratik të institucioneve. Presim që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje me prioritet dhe të japë sa më shpejt një vendim, në mënyrë që të parandalohet çdo cenim i mëtejmë i rendit kushtetues dhe i parimit të ndarjes së pushteteve”, ka shkruar Nagavci.


Shtuar 9.03.2026 14:45

Tags: ,