Lufta po “gllabëron” tanket e famshëm të Rusisë, tani nuk përsëritet dot më Lufta e Dytë Botërore

Nga The Economist

Përktheu: AlbEu.com

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat e armatosura të Gjermanisë naziste shkatërruan tanket sovjetike me një shpejtësi fenomenale. Por, megjithëse Ushtria e Kuqe humbi 80,000 tanke, fuqia industriale e Bashkimit Sovjetik e lejoi atë të përfundonte luftën me më shumë tanke sesa kishte kur filloi konflikti.

Tanket e sotme janë shumë më të sofistikuara dhe më të shtrenjtë, dhe për këtë arsye hidhen në fushën e betejes në një numër shumë më të vogël.

Megjithatë, Rusia, ashtu si Bashkimi Sovjetik, ka humbur një numër të madh tankesh deri më tani në Ukrainë.

Kjo e fundit pretendon se ka shkatërruar më shumë se 3250. Oryx, një blog inteligjence, ka dokumentuar 1 700 tanke të shkatërruara. Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, thotë se rreth gjysma e flotës ruse të paraluftës të tankeve T-72-të cilat numëronin rreth 2000 dhe përbënin pjesën më të madhe të forcës së saj të blinduar, është shkatërruar.

Tanket nuk kanë arritur t’i japin përparësi Rusisë në Ukrainë, ndërsa forcat e kësaj të fundit po organizohen për të kryer një tjetër ofensivë të madhe pa mbështetje të mjaftueshme me tanke, raporton AlbEu.com

Ukraina ka siguruar tanke nga aleatët e saj perëndimorë në javët e fundit, të cilat ndoshta do t’i përdorë në një kundërofensivë pranverore. Rusia do të duhet të forcojë flotën e saj nëse shpreson të mbajë territorin që ka fituar.

Por, a mundet që Rusia të zëvendësojë tanket e humbur këtë herë?

Në vitet 1940, fabrikat sovjetike mund të prodhonin më shumë se 1000 tanke në muaj.

Fabrikave që prodhonin traktorë dhe lokomotiva iu tha që në vend të tyre të ndërtonin tanke. Sot rritja e prodhimit është më i vështirë.

Pajisjet elektronike dhe ato për të parë natën janë shumë të avancuara dhe tanket sot kërkojnë një nivel teknologjie shumë më të lartë se gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kjo e bën prodhimin më të ngadalshëm dhe do të thotë se shumë fabrika të dizajnuara për lloje të tjera prodhimi nuk mund të prodhojnë lehtësisht tanke.

Rusisë i ka mbetur vetëm një fabrikë tankesh, ajo UralVagonZavod, një kompleks i madh i ndërtuar në vitet 1930.

Keqmenaxhimi financiar dhe borxhet e mëdha e kanë ngadalësuar modernizimin e saj.

Punëtorët thonë me shaka se i montojnë tanke me duar.

Novaya Gazeta, një gazetë liberale ruse, raporton se fabrika prodhon vetëm 20 tanke në muaj. Një zyrtar perëndimor thotë për The Economist se, në total, kërkesa e forcave të armatosura ruse për tanke është duke e tejkaluar prodhimin në një raport një me dhjetë.

Në një përpjekje për të përmbushur kërkesën, Rusia ka rritur shkallën me të cilën ajo restauron tanket e vjetra, nga të cilët ka mijëra në ruajtje.

Në Ukrainë, tanket moderne ruse, të tilla si t-90, tani luftojnë së bashku me një numër të madh t-72b3, të ndërtuara dekada më parë, por të përmirësuara.

Edhe me këto përmirësime, tanket e vjetra janë inferiorë ndaj modeleve të reja dhe kanë më pak gjasa t’i mbijetojnë një goditjeje nga forcat ukrainase – megjithatë ata janë ende të dobishëm.

UralVagonZavod riparon rreth tetë tanke në muaj dhe nga tre fabrika të tjera të riparimit të automjeteve të blinduara secila rinovon rreth 17, sipas mediave ruse.

Dy fabrika të tjera të ngjashme do të fillojnë punën gjatë muajve në vijim.

Kjo do të thotë se, megjithëse Rusia mund të ndërtojë vetëm 20 tanke të reja në muaj, ajo së shpejti mund të jetë në gjendje të  fusë në fushën e betejës 90 apo më shumë tanke duke “rrjepur” të vjetrit.

Megjithatë, kjo nuk do të kompensonte 150 tanket që vlerësohet se Rusia është duke humbur çdo muaj në Ukrainë.

Po ashtu, prodhimi mund të pengohet nga mungesa e pjesëve.

Përçuesit, çipat kompjuterikë që kontrollojnë tanket moderne, janë veçanërisht në mungesë. Komisioni Evropian pretendon se Rusia po përdor çipa nga pjatalarëse dhe frigoriferë për t’i instaluar në pajisje ushtarake. Kjo është vërtetuar edhe nga këqyrja e tankeve ruse të shkatërruar në Ukrainë.

Rusia nuk është e vetme me këto probleme. Ukraina dhe aleatët e saj gjithashtu nuk kanë aftësinë për të prodhuar tanke shpejtë.

Fabrika e vetme e tankeve në Ukrainë, afër Kharkiv, u shkatërrua në fillim të luftës. Amerika, e cila ka premtuar të dërgojë 31 tanke M1A2 Abrams në Ukrainë, ka një fabrikë, me kapacitet për të prodhuar 15 tanke çdo muaj. Prodhimi gjetkë në Perëndim është po aq i ngadaltë.

Në përgjithësi, forcat sulmuese përdorin më shumë tanke sesa ato mbrojtëse. Ndërsa konflikti vazhdon, Rusia ka të ngjarë të shohë flotën e saj në tkurrje të vazhdueshme si në sasi ashtu edhe në cilësi. Këtë herë, prodhimi mund të mos e shpëtojë Rusinë. /albeu.com


Shtuar 28.02.2023 13:55