Joseph Nye: Aleanca Kinë-Rusi e vështirë për t’u prishur, BE duhet të riafrohet me Rusinë pas largimit të Putin

Nga Paul Mauri “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Nëse sot flasim për fuqinë e butë dhe të fortë, kjo ndodh sepse profesor Joseph Nye i teorizoi ato në fundin e viteve 1980. Nye është një studiues i shkencave politike në Universitetin e Harvardit. Në karrierën e tij të gjatë dhe të spikatur, ai ka qenë një figurë kyçe në politikën amerikane.

Gjatë viteve 1977-1979, Nye ishte zv/Sekretar i Shtetit për Asistencën e Sigurisë, Shkencën dhe Teknologjinë dhe drejtoi Grupin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Në vitet 1993-1994, shërbeu si kryetar i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës.

Në administratën Clinton ishte në vitet 1994-1995, kur shërbeu si ndihmës sekretar i mbrojtjes për çështjet e sigurisë ndërkombëtare, ndërsa në tetor 2014, Sekretari i Shtetit John Kerry e emëroi këshilltar në Këshillin për politikën e jashtme të SHBA-së. Në këtë intervistë ai shpjegon disa koncepte kyçe të fuqisë së butë dhe të fortë, dhe mënyrën se si po ndërveprojnë sot fuqitë e mëdha globale.

Çfarë është fuqia e butë dhe fuqia e fortë, a mund të na jepni një përkufizim të shkurtër?

Fuqia është aftësia për të ndikuar tek të tjerët për të marrë atë që dëshironi. Dhe kjo mund të bëhet në tre mënyra: shtrëngimit, pagesës, joshjes. Fuqia e butë është aftësia për të marrë atë që dëshiron përmes joshjes dhe jo përmes detyrimit ose pagesës.

Cilat janë ndryshimet thelbësore midis fuqisë së butë të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë ?

Rusia është tërheqëse kryesisht në pjesë të zonës së saj kulturore në ish-perandorinë e saj. Kina ka aspirata më të gjera, dhe është tërheqëse për kulturën, performancën ekonomike dhe ndihmën ekonomike. Ndërkohë tërheqja e Shteteve të Bashkuara shprehet përmes kulturës dhe modelit të shoqërisë civile, ku përfshihen kryesisht vlerat liberale. Asnjë vend nuk ka një joshje universale për të gjithë, por sondazhet tregojnë se në këtë fazë të historisë SHBA-ja ka më shumë fuqi të butë se Kina apo Rusia.

Lufta në Ukrainë e ka revolucionarizuar rendin global:Rusia është afruar më tej me Kinën, dhe tani është në fakt partneri më i vogël në këtë marrëdhënie dypalëshe. Kur do të përfundojë lufta, dhe si mund të ri-integrohet Rusia në sistemin ndërkombëtar? A do të jetë e mundur të shkëputet nga Kina?

Aleanca Rusi-Kinë nuk do të zhbëhet lehtë. Por midis tyre ka disa tensione. Do të jetë e rëndësishme që Rusia post-Putin të ri-integrohet në Evropë sa më shumë që të jetë e mundur.

Ju keni shkruar në vitin 2018 se rreziku i vërtetë është që Kina të jetë shumë e dobët dhe jo shumë e fortë, pasi kështu nuk arrin të kontribuojë në rendin shumë-polar që nuk ndihmoi në krijimin. A mendoni akoma kështu? Pse?

Jo. Edhe pse Kina përballet me probleme serioze demografike dhe të produktivitetit, ajo është mjaft e fortë që të përpiqet ta reformojë rendin aktual, në vend se të kontribuojë në ndërtimin e një rendi të ri ndërkombëtar.

Për vite të tëra, politika e sigurisë së SHBA-së e ka identifikuar Kinën si “sfidë urgjente”, pasi është parë se Pekini po punon për ta luftuar fuqinë ekonomike-ushtarake globale të SHBA-së. Në kushtet e shpejtësisë së riarmatimit të Kinës, a mendoni se është më afër “Kurthi i Tukididit”?

Unë nuk mendoj se është e drejtë analogjia me Greqinë e Tukididit. Unë preferoj më shumë  metaforën e Kevin Rudd për një “konkurrencë të menaxhuar” midis dy rivalëve strategjikë që nuk paraqesin asnjë kërcënim ekzistencial për njëri-tjetrin, dhe që mund të përfitojnë nga fusha të bashkëpunimit si për shembull në përpjekjet për ndryshimin e klimës.

Që në mesin e vitit të kaluar ju thatë se nuk jemi në një “Luftë të re të Ftohtë”. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të çlirohen nga disa lidhje me Kinën (për shembull, për zinxhirin e furnizimit me mikroçip dhe rrjedhimisht për mineralet e rralla). Kështu unë ju pyes:A është vërtetë e mundur shkëputja?

Një shkëputje në shkallë të gjerë e ekonomive amerikane (dhe perëndimore) me Kinën, do të ishte jashtëzakonisht e kushtueshme për të dyja palët. Kjo nuk ka gjasa të ndodhë nëse nuk futemi në një luftë. Por ka të ngjarë që të ketë një shkëputje selektive të zinxhirëve të furnizimit me rëndësi ushtarake dhe strategjike. Megjithatë, nuk është si gjatë Luftës së Ftohtë, kur nuk kishte thuajse asnjë ndërvarësi ekonomike, sociale apo ekologjike me Bashkimin Sovjetik. 

Sipas mendimit tuaj, si mundet Perëndimi të ringjallë fuqinë e butë me vendet e paangazhuara (veçanërisht ato në Afrikë dhe Amerikën Latine)?

Ne duhet ta marrim seriozisht axhendën e tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për zhvillimin.

Duke folur për Evropën, a mendoni se Bashkimi Evropian është një kufi apo një shumëzues i aftësive të fuqisë së butë të vendeve anëtare individuale?

 

Padyshim një shumëzues!


Shtuar 28.03.2023 16:39