Lëvizja e fundit! SPAK kërkon heqjen e pezullimit të gjykimit për Fatmir Mediun

Ditën e sotme Prokuroria e Posaçme anti Korrupsion kërkon heqjen e pezullimit të gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Burimet pranë SPAK bëjnë me dije se është caktuar relatori i çështjes Ilir Panda dhe do të shqyrtohet nga tre gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.

Kërkesa e SPAK i drejtohet Gjykatës së Lartë, e cila në vitin 2009 vendosi të pushojë çështjen penale ndaj z. Mediu për shkak të imunitetit të tij parlamentar.

“Shkaku ligjor për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, ekzistenca e imunitetit parlamentar ndaj ushtrimit të ndjekjes penale, nuk ekziston më në legjislacionin proçedural penal,” arsyeton SPAK.

Ndryshimet ligjore të vitit 2012 dhe 2017 kanë ndryshuar imunitetin parlamentar të të zgjedhurve, ndaj ndjekjeve penale, hetimit apo gjykimit të tyre.

“Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për proçedim ka qënë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston,” njoftoi SPAK.

Vendimi i organit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ndjekjen penale të ish-ministrit Mediu erdhi pas depozitimit të kërkesës së prindërve të një viktime 7-vjeçare të ngjarjes tragjike të Gërdecit.

Pas kësaj padie mësohet se relatori i çështjes do të jetë gjyqtari Ilir Panda. çështja do të shqyrtohet nga 3 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. /albeu.com/

 


Shtuar 31.05.2021 15:25