Lajm i mirë: Kosova heq lejen e përkohshme të qëndrimit me Shqipërinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim Marrëveshjen Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës të Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, tha se kjo projektmarrëveshje është në frymën e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe ka për qëllim heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm të të dy palëve nënshkruese.

Ai sqaroi se heqja e lejes së përkohshme me Shqipërinë nënkupton largimin e kritereve të parapara në ligjin përkatës për të huajt për pajisje me leje për qëndrim të përkohshëm.

“Heqja e lejes së përkohshme, sipas kësaj marrëveshje, nënkupton largimin e kritereve të parapara në ligjin përkatës për të huajt për pajisje me leje për qëndrim të përkohshëm.

Leje qëndrimi i përkohshëm, sipas kësaj marrëveshje, nënkupton pajisjen me lejeqëndrim të përkohshëm për të huajt me afat 5-vjeçar.

Përmes kësaj marrëveshje, palët nënshkruese në momentin e lajmërimit të qëndrimit të përkohshëm në territorin e palës tjetër duhet të plotësojnë formularin për lajmërim, ku në këtë rast, ministria përkatëse e Punëve të Brendshme, obligohet që në afat prej 30 ditësh të pajisë me leje qëndrimi shtetasin e palës tjetër që ka lajmëruar leje qëndrimin.

Në këtë mënyrë shtetasit e palëve nënshkruese në momentin e lajmërimit të qëndrimit të përkohshëm, mund të qëndrojnë në territorin e shtetit tjetër deri në 5 vjet për ndonjërën nga arsyet në vijim: për bashkim familjar, arsim parauniversitar dhe arsim i lartë, kërkime shkencore, arsye humanitare, viktimat e trafikimit me njerëz, migrantët dhe të huajt”.

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot edhe nismën për amandamentimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Krushevë (Dragash) – Shishtavec (Kukës) dhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Rregullimin e Regjimit të Trafikut Lokal të Kufirit./Monitor


Shtuar 9.06.2021 08:13