Lajm i keq për shoferët e rregullt, kompanitë e sigurimit po sabotojnë sistemin “bonus malus”?

Pasi lobuan fortë pranë Ministrisë së Financave për të mos futur me detyrim në ligjin e ri për Sigurimet praktikën “bonus-malus”, tashmë kompanitë e sigurimeve duket se kanë kaluar në fazën e dytë të planit të tyre: Atë të sabotimit.

Drafti fillestar i ligjit për Sigurimet e parashikonte aplikimin me detyrim të sistemit “bonus-malus” për shoferët e makinave, ku secili prej tyre do të paguante më shumë apo më pak “prim” sigurimi në varësi të sjelljes në rrugë.

Më problematikët do të paguanin më shumë, kurse më të rregulltit, më pak.

Por, për shkak të ndikimit të fortë të kompanive të sigurimeve, Ministria e Financave hoqi aplikimin me detyrim duke e lënë në zgjedhjen e kompanive nëse do ta aplikojnë ose jo sistemin “bonus-malus”.

Por, ndërkohë që ka gati dy vite që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka nxjerrë udhëzimin për implementimin e sistemit “bonus-malus” për kompanitë që do të zgjidhnin ta aplikonin, ato jo vetëm që nuk kanë ndërmend ta bëjnë diçka të tillë, por tashmë kanë filluar të dalin edhe kundër implementimit të tij në vend.

Në një intervistë në “Monitor”, Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i Sigal Uniqa Group Austria dhe kryetar i Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë radhit një mori shkaqesh që sipas tij çojnë në mos aplikimin e sistemit “bonus-malus” në Shqipëri duke u nisur sipas tij nga problemet me policët në rrugë tek ato të ruajtjes së të dhënave.

Madje, sipas Ponarit, që të aplikohet ky system në vend do të duhet që të gjithë makinat të jenë të siguruara dhe çdo dëm, sado i vogël të hidhet në sistem. Më tej, Ponari fajëson edhe Policinë e Shtetit, të cilët me sjelljet në rrugë sipas tij dezavantazhojnë kompanitë e sigurimeve.

Në fund, Ponari bën edhe një parashikim brenda të cilit ka pak gjasa të aplikohet sistemi “bonus-malus” në Shqipëri: Bëhet fjalë për 5 vite.

Kështu, me sjelljen që po bëjnë, kompanitë e sigurimeve po i japing mesazhin çdo shoferi të rregullt se nuk do të përfitojnë asgjë nga kjo. Por, më i rëndësishëm është edhe mesazhi ndaj problematikëve, të cilët do të paguajnë po njëlloj, pasi kompanitë e sigurimeve nuk kanë ndërmend të prekin fitimet e tyre për të lehtësuar shoferët.

Tregu i sigurimeve duket gjoja i liberalizuar në vend, megjithatë me sjelljet e ndërmarra duket se ka element të fortë të sjelljes së koordinuar mes tyre në dëm të interesave të qytetatarëve. /albeu.com


Shtuar 27.09.2021 13:12