Ky është Roan Brahimi që u ekzekutua mbrëmë në Athinë, armik i Ervis Martinajt

Kanë dalë pamje nga atentati i ndodhur mbrëmjen e djeshme në Greqi, ku i vrarë mbeti Roan Brahimi, ndërsa u plagos bashkëshortja e tij Katerina Beqo.

Në fotot e publikuara nga mediat greke, duket makina ndaj të cilës u qëllua me plumba, ndërsa trupi i viktimës është ende brenda saj.

Roan Brahimi, është një nga personat që dyshohet se ka pasur gisht në atentatin ndaj Ylli Ibrahimit, ku vdiq Klisman Preçi. News 24, zbuloi në dhjetor të vitit 2022 se policia ka ushtruar kontroll në banesën e Brahimit alias Sidorel Prendi, në fshatin Pllanë të Lezhës.

Në banesë, policia gjeti vetëm babain e tij, Gjovalin Prendi, i cili tha se nuk kishte asnjë dijeni se ku ndodhej djali i tij, të paktën prej një viti.

Roan Brahimi, është shpallur në kërkim për terrorin që shkaktuan në një lokal në Zejmen të Lezhës, ku u futën të armatosur me kallashnikov duke kërkuar pronarin, ngjarje e ndodhur në vitin 2021.

Si autorë të së njëjtës ngjarje, janë shpallur në kërkim edhe nipi i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, Ramazan Rraja dhe Alesio Dobrozi.

Roan Brahimi, ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinaj dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 korrik 2022.

Por pse grupi hetues po investohej kaq shumë në emrin e Roan Brahimit, si një nga personat më të mundshëm të dyshuar për atentatin ndaj Ylli Brahjas dhe mikut të tij tashmë të ndjerë, Klisman Preçit.

Sipas dokumentave sekrete të policisë, gjithçka thuhet se lind pas një konflikti që Roan Brahimi kishte me Ylli Brahjan.

Ky i fundit, sipas dokumentave të prokurorisë, mendohet se e ka çuar Roan Brahimin në një nga bazat ku ishin Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij të besuar.

Bazë që ndodhet në afërsi të Fushë Kuqes, ku mendohet se Rohan Brahimi është dhunuar në mënyrë barbare. E gjitha kjo, për borxhet që lidheshin me lojërat e fatit.

Me daljen e tij gjallë nga aty, ai thuhet se ka paralajmëruar Ylli Brahjan se “nuk ja falte kurrë atë që i kishte bërë”. Por a është ky motivi i vërtetë i atentatit ndaj Ylli Brahjas, mbrëmjen e 22 korrikut 2022, në qendër të Milotit.


Shtuar 10.05.2024 09:11