Kush ishte shënjestra e atentatit në Bushat? Dyshohet për shkëmbim zjarri mes shoferit të “Audi-t” me targa gjermane dhe autorëve

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Bushat në Vaun e Dejës. Breshëri plumbash janë zbrazur drejt një automjeti “Audi” të zi të blinduar me targa gjermane.

Policia njoftoi se nuk bëhet fjalë për një atentat pasi automjeti ishte i parkuar dhe nuk kishte persona brenda në momntin e të shtënave me kallashnikov.

Burime për media bëjnë me dije se ka dyshime se mes shënjestrës dhe autorëve ka patur shkëmbim zjarri, pasi në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të armëve të ndryshme.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se autorët dyshohet se kanë qenë me dy automjete “Mercedes S” të blinduar dhe janë larguar me shpejtësi.

“Audi” i blinduar ka qenë i ndaluar kur autorët kanë mbërritur dhe pas ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit mes drejtuesit dhe autorëve. Edhe shoferi i automjetit me targa gjermane është larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjithashtu mediat raportojnë se Policia ka bërë identifikim e një personi të përfshirë në këtë ngjarje, por emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve.


Shtuar 23.08.2024 23:11