Kush do ta zëvendësojë Lindita Nikollën? Del emri se kush pritet t`i zërë vendin

Dorëheqja e Lindita Nikollës si kryetare e Kuvendit, për arsye shëndetësore, ishte surprizë për kolegët e grupit parlamentar të socialistëve, dhe me jo pak rëndësi brenda PS.

Padiskutim, një vendim i konsultuar ditë më parë me Edi Ramën, përpara se ai të udhëtonte drejt Parisit për ceremoninë e hapjes të Lojrave Olimpike.

Në korridoret e PS-së, nuk mungojnë komentet dhe hamendësimet se kush do të jetë në krye të Kuvendit të Shqipërisë.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, bisedoi në mënyrë informale me disa prej anëtarëve të kryesisë të PS-së, të cilët si kandidaturë të mundshme në pol position për momentin në këtë post vendosin Elisa Spiropalin, aktualisht Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Megjithatë, kjo mbetet në dorë të Edi Ramës për të vendosur.

Nuk përjashtohet mundësia e propozimit nga Rama, për vendin bosh të numrit një të Kuvendit edhe gjatë kongresit të PS-së të dielën.

Gjatë tre viteve të fundit, në mungesë të Edi Ramës në parlament, Elisa Spiropali, ka udhëhequr debatin dhe replikat e forta me opozitën, sidomos gjatë tre muajve të parë të 2024, kur parlamenti u mbërthye nga zhurma, flakadanët dhe molotovët e opozitës.

Nga ana tjetër, kandidatura e Elisa Spiropalit, është në pozita të forta në raport me performancën e brendshme të drejtuesve politik në qarqe, një merak konstant i Edi Ramës.

Ajo si drejtuese politike në Shkodër, koordinoi fushatën elektorale të zgjedhjeve të shkuara lokale në këtë qytet, duke e nxjerrë fituese PS-në me kandidaturën e Benet Becit.

Në biseda informale mes kolegësh, Elisa Spiropali, nuk e ka fshehur ambicien e avancimit të karrierës politike në drejtimin e diplomacisë shqiptare, apo atë të mbrojtjes falë një rrjeti të avancuar prej saj me dhe në marrëdhënie me ndërkombëtarët.

Top Channel, ka mësuar se në këtë kongres nga ata që cilësohen “të vjetrit” në PS, do të flasin vetëm tre.

Mes tyre, Blendi Klosi, Fatmir Xhafaj edhe Elisa Spiropali.

Pikërisht, përfshirja e Elisa Spiropalit në këtë treshe folësish në kongres, komentohet brenda PS-së si jo e rastësishme.

 


Shtuar 27.07.2024 14:43