Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 do të organizohen jo vetëm në Prishtinë, por edhe në disa komuna të tjera të Kosovës, në përputhje me planin e paraqitur gjatë kandidaturës. Këtë e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti pas mbledhjes së radhës së Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM), ku u shqyrtuan përgatitjet dhe projektet me përparësi për ngjarjen.
Kurti tha se është riafirmuar përkushtimi për ta zbatuar shtrirjen e përcaktuar në Librin e Kandidaturës. Krahas kryeqytetit, aty parashihen Peja, Gjakova, Prizreni, Drenasi, Skenderaj dhe komuna të tjera.
Të lidhura
None found
Ky organizim në disa qytete ishte pjesë e propozimit të Kosovës që në fillim të procesit të aplikimit. Sipas kryeministrit, plani i tillë i mundësoi vendit të fitojë të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare më 2030.
Shpërndarja e garave dhe përdorimi i objekteve sportive do të përfshihen në versionin e rishikuar të draftit të Masterplanit, i cili është ende duke u shqyrtuar. Në planifikim do të merren parasysh edhe investimet në vazhdim në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
Mbledhja trajtoi edhe projektet prioritare, për të cilat u kërkua që puna të ecë me ritëm më të shpejtë. Në mesin e tyre janë Qendra e Studentëve, e planifikuar si Fshat i Atletëve, Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Qendra Akuatike dhe Qendra Nacionale e Tenisit.
Gjithashtu, pjesëmarrësit nënvizuan rolin e Stadiumit Nacional si projekt shtetëror me rëndësi për zhvillimin e sportit në Kosovë.
Për ceremonitë e hapjes dhe mbylljes u diskutua mundësia që të përdoret stadiumi “Fadil Vokrri” me kapacitet të shtuar. Përpara se të merret vendimi, do të shqyrtohen kërkesat organizative dhe koha që nevojitet për përgatitjen e stadiumit.
U vendos gjithashtu që KOLM-i të paraqitet me qëndrim të përbashkët në takimin e ardhshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe të bëjë të ditur hapat e mëtejshëm të përgatitjeve për edicionin e vitit 2030.
Anëtarët e Komitetit Organizativ shprehën angazhimin e tyre për mbarëvajtjen e Lojërave. Synimi është që ato të jenë një ngjarje e rëndësishme sportive, si dhe një mundësi për zhvillimin e infrastrukturës dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.






