Kuqezinjtë shkëlqejnë në Europë, Uzuni shpallet golashënuesi më i mirë në Spanjë

Fundjava që sapo lamë pas ka qenë shumë pozitive për disa prej futbollistëve kuqezi që janë pjesë e kampionateve europiane. Nga mbrojtja në sulm, nga, Ismajli, Hysaj, Balliu, Gjimshiti, Mitaj, tek Asllani, Bajrami, Gjasula, Ramadani e Laçi, Muçi, Uzuni, Asani e Sadiku, thuajse të gjithë lojtarët shqiptarë kanë pasur minutat e tyre nën këmbë.

Sulmuesi shqiptar i Granada-s, Myrto Uzuni e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin me ekipin e tij, duke fituar jo vetëm titullin kampion e duke u ngjitur në La Liga në edicionin e ardhshëm, por duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë në Ligën e dytë të Spanjës. Djaloshi shqiptar realizoi golin e 23-të të këtij edicioni futbollistik në takimin e fundit që Granada zhvilloi kundër Leganes.

Ftesën e trajnerit Silvinjo e ka përshëndetur edhe sulmuesi kuqezi Jasir Asani. Futbollisti shqiptar është rikthyer te goli në kampionatin korean, aty ku me skuadrën e Guangju realizoi golin e dytë të sfidës. Edhe mbrojtësi kuqezi Elseid Hysaj ishte protagonist këtë fundjavë me Lacion, në takimin që bardhekaltërit zhvilluan kundër Kremonezes në Serinë A. Mbrojtësi shkodran kaloi në avantazh lacialët që në minutën e 4’ të takimit, teksa sipas Sofascore, Hysaj është vlerësuar me notën 7.3.

Në kampionatin italian u vunë përballë këtë fundjavë dy kuqezinjtë, Berat Gjimshiti e Kristjan Asllani, ku në fund buzëqeshi mesfushori shqiptar e skuadra e Interit. Madje, Kristjan Aslllani iu afrua edhe golit në minutën e 85-të, teksa pas një asisti të mirë nga Gosens, mesfushori shqiptar provoi me të majtën në hyrje të zonës, por topi shkoi ngjitur me shtyllën.

Mario Mitaj ishte një nga më të mirët në fushë në radhët e Lokomotivës së Moskës, teksa uebsajti i specializuar për statistika, SofaScore e vlerëson me notën 7.3 djaloshin kuqezi. Minuta kishin edhe lojtarët e tjerë të Kombëtares shqiptare, që duket se ishin mjaft në formë këtë fundjavë pas ftesës së trajnerit Silvinjo.

Shqipëria do të luajë dy sfidat e radhës ndaj Moldavisë (17 qershor, stadiumi ‘Air Albania’) dhe Ishujve Faroe në transfertë (20 qershor), të vlefshme për kualifikueset e kampionatit europian ‘Gjermani 2024’.


Shtuar 29.05.2023 10:41