Tre ditë më parë studentët e Fakultetit të Mjekësisë dolën në protestë.
Ndërkohë, ditën e sotme ata kanë paralajmëruar protestën e radhës.
Studentët kundërshtojnë draftin për të lidhur kontratë pune me detyrim në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve.
Përmes rrjeteve sociale ata njoftojnë se ditën e sotme në orën 10:00 do të mblidhen para rektoratit të UMT-së dhe më pas do të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Studentët e Mjekësisë jo vetëm kundërshtojnë këtë vendim, por ata shprehen edhe kundër penalizimeve financiare që vijnë me të.
Për ta ky akt është i padrejtë dhe se qeveria në vend që të krijojë ligje për të ndaluar mjekët të largohen jashtë vendit, duhet të përmirësojë kushtet që ata të qëndrojnë.
Rritja e pagave të mjekëve ishte një nga hapat e parë të propozuar nga qeveria për të frenuar eksodin e mjekëve drejt Gjermanisë. Universiteti i Mjekësisë ka hartuar një paketë propozimesh për t’i mbajtur në vend ata.
Politikat frenuese do të nisin nga studentët e Mjekësisë. Para se të hyjnë në fakultet do të firmosin kontratën për të punuar së paku tre vjet në Shqipëri.
Edhe diplomën e Mjekësisë do ta marrin vetëm pasi të kenë përmbyllur këtë detyrim. Studentët që nuk pranojnë këto kushte do të paguajnë tarifën e shkollimit njësoj si në vendet e tjera, afro 18 mijë dollarë.
Që nga viti 2016, universiteti i Mjekësisë raporton mbi 1 mijë mjekë të larguar nga Shqipëria, 20% e të cilëve ishin me përvojë dhe në specialitete të ndryshme./Albeu.com/