Kroacia njeh si gjenocid vdekjen e miliona ukrainasve në vitet 1930

Parlamenti i Kroacisë votoi të mërkurën për njohjen e Holodomorit si gjenocid.

Ky term nënkupton vdekjen e miliona njerëzve në Ukrainë në vitet 1930, nën udhëheqësin sovjetik, Joseph Stalin.

Regjimi i tij krijoi artificialisht uri, që preku popullsinë e Ukrainës sovjetike, të Kaukazit të Veriut dhe të zonës përreth rrjedhës së poshtme të lumit Vollga, midis viteve 1932 dhe 1933.

Vlerësohet se deri në 9 milionë njerëz vdiqën si rezultat i ekzekutimeve, dëbimeve dhe urisë gjatë Holodomorit.

Më e goditura ishte Ukraina, si zona më pjellore bujqësore e Bashkimit Sovjetik.

Me deklaratën e miratuar, Parlamenti kroat tha se e njeh Holodomorin si gjenocid kundër popullit ukrainas.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e falënderoi Kroacinë për këtë veprim.

“Bota nuk do t’i pranojë kurrë krimet e Kremlinit – as të shkuarat, as të tashmet”, shkroi Zelensky në Twitter.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, shprehu po ashtu mirënjohje për Kroacinë, duke thënë se “njohja globale e gjenocidit të Holodomorit” vazhdon të rritet me shpejtësi.

Ai shtoi se 27 vende e njohin urinë si gjenocid.

Viktimat e Holodomorit përkujtohen në Ukrainë dhe në mbarë botën çdo vit, në të shtunën e katërt të nëntorit./REL/


Shtuar 28.06.2023 14:07