Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku është shprehur se qeveria nuk mund të bëjë asgjë për rritjen e çmimeve në fushën energjike, pasi sipas saj ato diktohen edhe nga rritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar.
Balluku shtoi se mes të tjerave, sipas saj edhe çmimi i qymyrit ka pësuar rritje.
Ajo ka theksuar se të gjithë sot janë me sytë nga qielli pasi pritet që në datë 2 të nisin reshjet për të shtuar prurjet në kaskadën e Drinit.
“Energji përdorim edhe ne të majtët edhe ju të djathtët. Nuk po diskutojmë cilësinë e shërbimit. Do i kthehem faktit të ndërtesave apo mobilimeve. Nga 1600 abonentë për qendër sot shkojnë 600 abonentë për qendër. Jemi të detyruar të blejmë me këto çmime sot në treg. Edhe çmimi i qymyrit është rritur nga 34 euro në 60 euro për metër kub.Nuk e kontrollojmë dot këtë.
Duke pasur problemet e sistemit elektro-energjetik sa i përket prodhimit dhe sot jemi me sytë nga qielli dhe kemi një lajm të mirë që në datë 2 fillon shiu dhe presim 135 mm reshje. Ne kemi nisur proceset. 10 mld të akorduara nga qeveria janë për mburojën sociale. Janë për të mbrojtur abonentët familjarë. Për të dhënë çmimin e njëjtë që kishin edhe para krizës globale. Energjia e ka matshmërinë me shërbimin dhe cilësinë”, u shpreh Balluku.
Lidhur me projektin e OSHEE për përballimin e krizës energjetike përmes huamarrjes në BERZH, Balluku deklaroi se iniciativa për marrjen e kësaj kredie ka nisur që në muajin qershor duke parë impaktin financuar për shkak të pandemisë.
“Projekti i OSHEE për reagimin ndaj krizës së pandemisë së COVID. Ka pasur një qëndrim të ndryshëm nga grupet e opozitës. Kemi kaluar edhe tej shpjegimeve që jepen në raste të tilla duke bërë transparencë për deputetët dhe publikun. Kjo kredi ka nisur si punë nga OSHEE në muajin qershor duke parë impatin financuar që operatori i shpërndarjes kanë pasur gjatë periudhës së pandemisë.
Duke pasur parasysh ndërprerjen e investimeve gjatë pandemisë kemi kërkuar këtë hua nga institucionet financiare partnere pasi Berzh ka mbështetur në projekte të rëndësishme. Si e përmenda më parë nuk dua të jap detaje sa i përket operacioneve që do të mbulohen nga kjo hua. Do kaloja vetëm disa pjesë teknike të rëndësishme që ky projektligj parashikon. Marrëveshja e garancisë përmban tre nene, ku sipas nenit të parë janë pjesë përbërëse e marrëveshjes. Afati i shlyerjes 5 vite. Periudha e mos shlyerjes së principalit 1 vit. Është moment kritik për sektorin energjetik. Është një moment kritik në krizë globale që parashikohet të zgjasë”, deklaroi Balluku./albeu.com/