Kriza “e përçarjes” së Bosnjës, Escobar diskuton me Schmidt për mbrojtjen e Marrëveshjes së Dejtonit (FOTO LAJM)

Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në përfundim të vizitës së tij në Bosnje dhe Hercegovinë ka biseduar me Përfaqësuesin e Lartë Ndërkombëtar, Christian Schmidt, për mundësitë e “mbrojtjes së Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”.

Në një postim të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Sarajevë thuhet se Escobar shprehu kënaqësinë që me Përfaqësuesin e Lartë Schmidt pati mundësinë të diskutonte për një angazhim të përbashkët në mbrojtjen e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe rritjen e funksionalitetit në Bosnje dhe Hercegovinë.

Një ditë më parë (9 nëntor) diplomati amerikan tha përmes një video-mesazhi për qytetarët e Bosnjës se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë përmes dialogut, por nëse është e nevojshme do të bëjnë gjithçka për të siguruar suksesin e këtij vendi”.

Gjatë vizitës së tij në Bosnje dhe Hercegovinë, Escobar u takua me anëtarët e presidencës trepalëshe, Zheljko Komshiq, Shefik Xhaferoviq dhe Millorad Dodik.

Ai u takua gjithashtu me udhëheqjen e të dy dhomave të Asamblesë Parlamentare dhe përfaqësuesit e partive në pushtet dhe opozitë në nivel të Bosnje e Hercegovinës dhe dy njësive të saj.

Vizita e tij pason kërcënimet e Millorad Dodikut me largim të Republikës Sërpska nga institucionet kombëtare, siç është autoriteti i taksave, agjencia për ilaçe dhe nga ushtria.

Sipas Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës (BiH), entitetet e Republikës Sërpska dhe Federata e Bosnje dhe Hercegovinës nuk mund t’i kthejnë në mënyrë të pavarur kompetencat që i janë transferuar shtetit në periudhën e mëparshme.

Pas takimit me Dodikun më 8 nëntor Escobar tha se biseda ka qenë produktive dhe se “është hapur mundësia që të tërhiqen vendimet e marra që kanë të bëjnë me bartjen e kompetencave në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet për zhvillimin ekonomik”.

Escobar ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 5 nëntor se njerëzit në Bosnje e dinë që komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar për t’u siguruar që “të zbatohen përkushtimet për paqe dhe siguri të njerëzve në rajon”, duke shtuar se “ne jemi të përkushtuar se nuk do të ketë luftë”.

Në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, Escobar fillon më 10 nëntor një vizitë zyrtare dy-ditore në Mal të Zi.

Ai fillimisht do të takohet me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq ndërsa më pas edhe me kryeministrin, Zdravko Krivokapiq dhe kryetarin e Kuvendit, Aleks Beçiq.

Ambasada e SHBA-së në Podgoricë njoftoi më herët se gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, Escobar do të bisedojë edhe me drejtues të bizneseve për stimulimin e ekonomisë, pastaj përfaqësues të sektorit joqeveritar për luftën kundër korrupsionit si liderë të rinj politikë.

Duke folur para Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve mbi angazhimin e administratës amerikane në Ballkanin Perëndimor më 28 tetor, Escobar tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me të gjithë partnerët malazezë që ndajnë një vizion të një shteti sovran, gjithëpërfshirës dhe demokratik që zbaton reformat për anëtarësimin evropian.

I pyetur se çfarë po bën administrata amerikane për të siguruar që Qeveria aktuale të qëndrojë në rrugën drejt BE-së dhe të përmbushë detyrimet e saj ndaj NATO-s duke pasur parasysh ndikimin e Frontit Demokratik pro-rus, Escobar tha se më parë një delegacion malazez vizitoi Uashingtonin dhe se pala amerikane ka marrë garanci se Qeveria e Malit të Zi do t’i përmbahet anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, do të vazhdojë të mbështesë pavarësinë e Kosovës si dhe politikën e integrimit evropian./REL/


Shtuar 10.11.2021 13:33