Kritikoi talebanët në Facebook, torturohet dhe vritet i riu në Afganistan

Luftëtarët talebanë e ndaluan Naëeed Azamin pasi ai kishte kritikuar grupin militant përmes një postimi në Facebook.

Tri ditë pasi ishte ndaluar, trupi i pajetë i 30-vjeçarit u gjet përgjatë bregut të një lumi në qytetin Lashkar Gah, që gjendet në jug të Afganistanit.

Talibanët kanë pretenduar se Azami kishte ikur nga qendra e ndalimit. Por, familja e tij e ka akuzuar grupin militant se e kanë torturuar dhe vrarë Azamin.

“Vëllai im është torturuar nga koka te këmbët”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Sharifullah Sharafat, vëllai i madh i Azamit.

“Ka pasur shenja të torturës në gjithë trupin e tij. Mjekët në spitalin lokal e kanë konfirmuar një gjë të tillë. Ata kanë fotografuar trupin e tij dhe kanë edhe video-incizime”.

Azami duket se është viktima e fundit e fushatës së vrasjeve që po kryejnë talibanët. Pavarësisht se pas marrjes së pushtetit në muajin gusht ata shpallën amnisti të përgjithshme, ky grup militant është akuzuar për ekzekutim të cilivive dhe ish-pjesëtarëve të Qeverisë së kaluar dhe forcave të armatosura.

Grupi i linjës së ashpër gjithashtu ka mbytur fjalën e lirë dhe ka përdorur forcë brutale për të shtypur disidentët, përfshirë edhe shtypjen e protestave paqësore dhe arrestimin dhe rrahjen e gazetarëve.

Në një raport të publikuar më 30 nëntor, Human Rights Ëatch ka thënë se talibanët kanë “ekzekutuar dhe zhdukur me forcë” mbi 100 ish-pjesëtarë të forcave të sigurisë në vetëm katër prej 34 provincave të Afganistanit, që prej se grupi mori kontrollin e vendit në mesin e muajit gusht./REL

 

 

 

 


Shtuar 7.12.2021 10:32