Krisje në PS? Damian Gjiknuri paralajmëron Taulant Ballën: Mos hidh poshtë karrierën për një kapriço personale

Drejtuesi i ri politik e qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri, ka thumbuar ditën e sotme kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballën.

Gjiknuri i ka thënë atij se nuk duhet të hedhë poshtë gjithë karrierën e tij politike në Partinë Socialiste, për një kapriço të tijën personale.

Damian Gjiknuri ka zëvendësuar Taulant Ballën në dy poste të rëndësishme, atë të Sekretarit të Përgjithshëm dhe postin e drejtuesit politik të qarkut të Elbasanit.

“Balla ka bërë një punë të mirë në Elbasan, tani është vendosur në një qark tjetër për të drejtuar, sepse kjo është bërë edhe për arsye të politikave të PS brenda partisë, për një rifreskim të qarqeve. Megjithatë do i thoja që mos të hedhë poshtë të gjithë karrierën politike për një kapriço personale,” tha Gjiknuri.

Më tej, Damian Gjiknuri ka komentuar edhe debatet në Shkodër, gjatë një interviste në “Zona Zero”, duke përgënjeshtruar lajmet se ka pasur përplasje por sipas tij vetëm diskutime, të cilat siç thotë Gjiknuri janë të zakonshme në PS.

“Nuk merrem me spekulimet që bëhen nëpër media, sigurisht që debate ka brenda partisë, se është parti demokratike, dhe gjithmonë kemi pasur rezultatin më të mirë. Se si shkojnë rekordet elektorale shihet tek organizatat. Tek organizatat kolektive vullnetare ka gjithmonë diskutime për t’u përmirësuar. Vendosja e një kryetari të ri në qarqe është nevoja për të qarkulluar lidership në nivel lokal, sepse i jep PS rifreskim dhe të bëjë më mirë në vijim. Mandati i tretë ka dhe konsumin e saj, duket sikur mandati i tretë mund të sjellë një konsum të mëtejshëm dhe mund të mos realizojë premtimet, por prandaj duhet që strukturat e PS të punojnë sa më shumë, të merremi me çdo shqetësim që krijohet gjatë rrugës dhe të mos presim gongun e fushatës,” tha Gjiknuri./albeu.com


Shtuar 23.09.2021 17:59