Kovaçevski dhe ministrat në ditën e dytë në Sofje, çfarë paralajmërohet

Mbaroi vizita dy ditore e Qeverisë së Maqedonisë në Sofje. U mbajt seanca e dytë e përbashkët ndër-qeveritare ku u nënshkruan disa memorandume të cilat në periudhën në vijim duhet ta rrisin bashkëpunimin mes shteteve por edhe ta përmirësojnë jetesën e qytetarëve.

Theksi kryesor është se komisioni historik do të punojë me ritëm të lartë për zgjidhjen e çështjeve të hapura politike.

“Ka vende siç është Republika e Maqedonisë së Veriut ku të drejtat individuale realizohen në mënyrë kolektive. Në Kushtetutën tonë, përveç popullit maqedonas, ka edhe popull shqiptar dhe popuj të tjerë të cilët i përbëjnë komunitetet e tjera që janë pjesë e Kushtetutës. Normalisht, edhe qytetarët e tjerë në vend të cilët vetëpërcaktohen në mënyrë tjetër, mund të kërkojnë të bëhen pjesë e Kushtetutës së RMV-së. Ky është një proces normal i cili kalon përmes ndryshimeve kushtetuese, i cili ka më shumë hapa dhe në të cilin janë përfshirë më shumë institucione. Në qoftë se një gjë e tillë ndodh dhe është normale gjëra të tilla të ndodhin në rrugën e një shteti drejt BE-së, sepse hapet Kushtetuta me qëllim që të bëhen edhe harmonizime të tjera, atëherë në këtë proces do të përfshihen edhe ato çështje në bazë të kërkesave të qytetarëve”, deklaroi Kovaçevski.

Kryeministri bullgar, Kirill Petkov, tha se nuk do të ndryshojnë anëtarët bullgar të komisionit historik, duke shtuar se pret që në periudhën e ardhshme të ndalojë gjuha e urrejtjes. Petkov dhe Kovaçevski takohen pas një jave dhe thonë se janë vendosur bazat për progres të shpejtë në raportet e ndërsjella.

“Dua të theksoj se Komisioni historik gjatë katër muajve të ardhshëm do të ketë të paktën tre takime. Do të punojë në mënyrë intensive dhe kjo është një pikëpamje shumë optimiste drejt arritjes së rezultateve të përbashkëta. Nga takimet e sotme shihet sinergjia dhe përparësitë e fqinjësisë së mirë. Në fakt, këto memorandume kanë një rezultat përfundimtar, e ai është – zhvillim ekonomik i të gjithë rajoni”, tha Petkov.

Kovaçevski realizoi takim edhe me presidentin bullgar, Rumen Radev, i cili tha se nevojitet dialog i sinqertë dhe i hapur. Kovaçevski u pajtua me Radevin duke thënë se dy MPJ kanë kapacitet të plotë për të biseduar për çështjet e hapura.

“Duhet të kemi më shumë respekt, dialog të hapur dhe të sinqertë që të mund të shkojmë përpara në këto tema të rëndësishme”, tha Radev.

“Në lidhje me çështjet e hapura, pajtohem se edhe dinamika e bisedimeve mes MPJ së RMV dhe R. Së Bullgarisë duhet të intensifikohen gjithashtu. Vlerësoj se ata kanë kapacitet të plotë dhe mund të bisedojnë për këto çështje”, tha Kovaçevski.

Do i dëshmojmë Evropës se në Ballkan mund të bashkëpunohet – thonë të dy kryeministrat të cilët tashmë kanë dhënë korniza kohore në të cilat komisionet e formuara duhet të tregojnë rezultate. Delegacioni qeveritar sot u prit edhe nga protestues të qetë para rezidencës, të cilët thanë se i mbrojnë të drejtat e bullgarëve në Maqedoni. Përndryshe kryeministri Kovaçevski mori pjesë edhe në ceremoninë “Bullgarë dinjitoz” ku ia dorëzoi shpërblimin një zjarrfikësit, i cili verën që lamë pas ka ndihmuar në shuarjen e zjarreve në pjesën lindore të Maqedonisë. Porosia nga Sofja e ftohtë është që do të ngrohen raportet mes dy vendeve./TV 21