Kosova i “kthen reston” Serbisë, nuk i aprovon Petkoviqit kërkesën për vizitë

Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar për Gazetën Express se ia kanë refuzuar kërkesën kryenegociatorit serb Petar Petkoviq për të vizituar Republikën e Kosovës më 2 dhe 3 dhjetor. Ky vendim i institucioneve të Kosovës vjen vetëm pak ditë pasi Serbia nuk lejoi që katër ministra kosovarë të vizitojnë Luginën e Preshevës me rastin e 28 nëntorit.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express kanë konfirmuar se nuk ia kanë aprovuar kërkesën Petkoviqi për vizitë në Kosovë.

“MPJD-ja nuk e ka aprovuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq për të vizituar Kosovën në datat 2-3 dhjetor 2021”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Petkoviq sot është lajmëruar nga pika kufitare në Merdare duke thënë se atij i është ndaluar hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

“Unë kam njoftuar për vizitën në dakordim me marrëveshjen por Prishtina është duke shkelur të gjitha marrëveshjet sërish. Ideja e vizitës sime ishte të vizitoj studentët e Seminarit Teologjik në Prizren, t’i vizitojë të rikthyerit në fshatin Novake si dhe të flas me njerëzit tanë në veri të Kosovës” ka thënë ai.

Më 27 nëntor, Serbia ka refuzuar kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës të katër ministrave të qeverisë Kurti, të cilët donin të vizitonin shqiptarët atje për nder të festës kombëtare të 28 Nëntorit.

Ministri i infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, kishte njoftuar se Serbia ua ka refuzuar kërkesën për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.

Vetë Aliu kishte njoftuar për ndalesën që ua kishte bërë Serbia për të vizituar Luginën.

Ai përmes një postimi në facebook, kishte shkruar se bashkë me Arbërie Nagavcin, Hekuran Muratin dhe Hajrullah Çekun, kishin planifikuar të fillonin vizitën dy ditore në Luginën e Preshevës./GazetaExpress


Shtuar 2.12.2021 17:19