“Kosova është gjaku ynë, nuk falet kurrë!”, Meta dekoron 2 dëshmorët e trevës së Rugovës në 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës (FOTO LAJM)

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar dy dëshmorët e trevës së Rugovës, Selman dhe Besnik Lajçin, me dekoratën “Nderi i Kombit”.

Këto dekorime vijnë në 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe Meta ka shpehur vlerësimin për rolin që Ushtria Çlirimtare e Kosovës luajti në luftën kundër agresionit serb.

Në takim morën pjesë edhe disa prej familjarëve të të rënëve në luftën e Kosovës.

Presidenti Ilir Meta:

KOSOVA ËSHTË GJAKU YNË, QË NUK FALET KURRË.

Lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi kriminal i regjimit të Millosheviçit rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Djemtë dhe vajzat më të mira të kombit, që morën armët në dorë për të luftuar për liri, duke flijuar edhe jetën, janë emrat më të nderuar të historisë më të re të shqiptarëve.

Në themel të 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, që mbarë kombi feston sot, qëndron gjaku dhe sakrificat më sublime të tyre.

Në këto beteja historike, e dhanë jetën me armë në dorë edhe dy luftëtarët e shquar të lirisë, Dëshmorët e paharruar Selman dhe Besnik Lajçi nga treva e Rugovës, të cilët në këtë ditë të shënuar për të gjithë ne, pata privilegjin t’i vlerësoj me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, meritojnë vlerësimin dhe respektin tonë të përjetshëm.

Lavdi përjetë Komandantit legjendar të UÇK, Adem Jasharit dhe të gjithë Heronjve të Kosovës!/albeu.com/