Konflikti te Kepi i Rodonit, Gjykata e Durrësit liron Mark Frrokun dhe 7 të arrestuarit e tjerë (VIDEO)

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën “Detyrim paraqitje” për 8 të arrestuarit në konfliktin e ndodhur të dielën në “Kepin e Rodonit” në Durrës, përfshirë dhe ish-deputetin Mark Frroku.

Arrest me burg në mungesë u dha vetëm për shtetasin Besnik Toma, kushëririn e ish-deputetit Frroku, i cili dyshohet se është personi që qëlloi në ajër me armë zjarri.

Mark Frroku u arrestua së bashku me 7 persona të tjerë, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri dhe banorët e fshatit Shetaj, Bajram Kaçuli, Ylli Reka, Erjon Reka dhe Orgito Reka pasi një sherri për një pronë tek Kepi i Rodonit më 29 Tetor.

Sherri mes tyre ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie.

Por banorët e fshatit Shetaj, nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.

Fillimisht ata kanë konfliktuar fizikisht më pas sherri ka agravuar në përdorimin e sendeve të forta dhe armës.

“Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri”, raportoi policia.