Komiteti ekonomik dhe social bëhet institucioni i parë i BE-së që pranon vendet kandidate

Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë institucioni i parë i Bashkimit Evropian që ka pranuar anëtarë nga vendet kandidate. Anëtarët e rinj u emëruan dhe më 15 shkurt morën pjesë për herë të parë në një seancë plenare të këtij komiteti.

Të pranishëm në ceremoninë e kësaj nisme në Bruksel, përveç kryetarit të EESC-së, Oliver Ropke, ishte edhe zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq, që vijnë nga dy shtetet kandidate për anëtarësim në BE.

EESC-ja merret me çështje sociale dhe ekonomike dhe në këtë komitet marrin pjesë përfaqësuesit e shoqërisë civile, sindikatave, punëdhënësve dhe sektorëve të ndryshme të industrisë. Në BE, ky institucion ka rolin këshillëdhënës.

Anëtarët e këtij komiteti, që vijnë nga vendet kandidate, do të marrin pjesë aktive në punën e EESC-së dhe do të jenë të barabartë me kolegët e tyre nga shtetet e BE-së. Megjithatë, ata nuk do të kenë të drejtën e votës.

Në këtë komitet janë pranuar anëtarë nga nëntë shtete kandidate dhe jashtë ka mbetur Kosova, shtet i përfshirë në procesin e zgjerimit, por që është i vetmi në Ballkanin Perëndimor që formalisht nuk ka statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE.

Sipas presidentit të EESC-së, Oliver Ropke, kusht formal për t’u përfshirë në këtë komitet është pasja e statusit të vendit kandidat, që Kosova nuk e ka.

Ky komitet ka pranuar si anëtar Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën. Që të gjitha këto shtete formalisht janë vende kandidate për anëtarësim në bllokun evropian.

Ropke tha se kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit gradual të shteteve kandidate, para se ato formalisht të anëtarësohen në BE. Ai tha se pret që kolegët nga këto shtete të sjellin përvojë të dobishme në punën e institucionit që ai udhëheq.

Komisionarja evropiane, Vera Jourova, tha se zgjerimi i BE-së është interes i përbashkët, rrugë e dyanshme që sjell dobi edhe për vendet kandidate, edhe për BE-në. Ajo bëri thirrje që vendet kandidate të fokusohen në vlerat e demokracisë dhe të lëvizin drejt BE-së duke i respektuar vlerat e përbashkëta, sidomos sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave.

Ka pasur më shumë se 600 kandidatë nga vendet kandidate për t’u emëruar në këtë komitet.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq, shprehen gatishmërinë që vendet e tyre të punojnë drejt integrimit gradual në BE, jo si zëvendësim për anëtarësim të plotë, por vetëm si rrugë drejt anëtarësimit formal.

Rama bëri thirrje që shembulli i EESC-së të ndiqet edhe nga institucionet e tjera të BE-së, përkatësisht nga Parlamenti Evropian, Komisioni dhe Këshilli. Një gjë e tillë, sipas kryeministrit shqiptar, do të bënte që njerëzit në Ballkanin Perëndimor të shohin se integrimi në BE është real dhe një gjë e tillë do të evitonte hyrjen në cikle të qëllimeve të mira, por që nuk prodhojnë rezultate konkrete.

Rama, duke përmendur ndikimin që ka pasur agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës në rritjen e mbështetjes për procesin e zgjerimit, tha se nuk duhet pritur ndonjë agresion tjetër për të lëvizur përpara në këtë proces.