Kolapsi me plehrat në Durrës, kompania private i vjen në ndihmë Bashkisë për pastrimin e tyre

I ndodhur në presion publik përballë situatës së krijuar në Durrës gjatë ditëve të fundit ku rrugët e qytetit janë pushtuar nga plehrat, kompania koncesionare ka zgjatur afatin e grumbullimit të plehrave pa pagesë, duke i rikujtuar bashkisë kushtet e marrëveshjes.

Kompania ka marrë përsipër pastrimin e qytetit deri më datë 15 korrik ndërkohë që pas kësaj date, Bashkia duhet të marrë masat e nevojshme për zgjidhjen e kësaj problematike pasi depozitimi i plehrave nuk do lejohet më deri në plotësimin e kushteve.

“Në vijim të kërkesave të vazhdueshme nga ana juaj sa i përket depozitimeve të mbetjeve, të cilat gjenerohen nga pastrimi i territorit te Bashkisë Durrësi si dhe referuar situatës kaotike të krijuar në qytetin e Durrësit, pikërisht nga grumbullimi i mbetjeve të gjeneruara dhe në kushtet ku qyteti juaj nuk pastrohet prej ditësh, shoqëruar “Integrated Energy BV SPV” shpk. nuk mund të qëndrojë indiferente përballë kësaj situate kritike. Për më tepër që kjo shoqëri ka si një nga parimet bazë të veprimtarisë së saj, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.

Nëpërmjet kësaj shkrese, ju bëjmë me dije se mund të vijoni menjëherë me depozitimet pranë Z.T.M.T për të cilat ju nuk do të paguani tarifën e depozitimit për një periudhë nga data 28.06. 2021 deri në datën 15.07.2021. Pas kësaj date jeni të lutur të ndërmerrni masat e nevojshme për zgjidhjen e problematikës pasi nuk do të lejoheni më për depozitime nëse nuk përmbushni kushtet e komunikuara nga ana e shoqërisë sonë”, thuhet në shkresë./albeu.com


Shtuar 28.06.2021 20:34