KKT miraton kullën 58 kate të Ilir Shtufit në mes të Tiranës

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen për ndërtimin e kullës 205 metër të lartë në Rrugën e Barrikadave. Leja me kusht për qëndrën multifunksinale Mount of Tirana është miratuar në mbledhjen e datës 8 mars të KKT-së.

Sipas dokumentave, kulla që do të ndërtohet nga kompania Nova Construction 2012 do të jetë 58 kate mbi tokë dhe 7 të tjera nën tokë. Projekti është hartuar nga studio daneze e arkitekturës Cebra.

Mount Tirana bëhet kështu ndërtesa më e lartë në Shqipëri e miratuar deri më tani. Ndërkohë që një tjetër kullë rreth 60 kate është miratuar tek rruga e Kavajës me ndërtues kompaninë Clasic të biznesmenit Agron Papuli.

Sipas projektit, kulla do të ketë disa hapësira, jo vetëm për zyra, por edhe për rezidencë, hoteleri dhe argëtim.

Mount Tirana

Projekti Mount Tirana u prezantua në tetor të vitit të kaluar në një aktivitet të posaçëm për përzgjedhjen e qëndrës shumëfunksionale të Tiranës. “Mount of Tirana” nga Cebra u shpall projekti fitues në një konkurs ku garonin 5 projekte nga studio të huaja.

Juria që shpalli fituese Mount of Tirana ishte e përbërë nga Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe një grup arkitektësh të mirënjohur si Pablo Bofill, Stefano Boeri, Filippo Innocenti dhe Freek Persyn.

Fillimisht Mount Tirana u prezantua se do të ishte 185 metra e lartë, por varianti përfundimtar i saj është rritur në 205 metër lartësi. Miratimi i kullës më të lartë në Tirana vjen në kulmin e debatit për betonizimin masiv të kryeqytetit me kulla shumëkatëshe. Kjo garë është bërë aq e ethshme sa rekordi i lartësisë së kullave thyhet vit pas viti.

Dikur nisi me 20, katësha, më pas u miratua Intercontinental i biznesmenit Ramë Geci me 33 kate.

Rekordi u thye nga Doën Town One e Shefqet Kastratit, që fillimisht u miratua 37 kate, por më pas leja u ndryshua në 40 kate. Ndërsa tani në podin e kullave më të larta në Shqipëri vihen Mount of Tirana e Ilir Shtufit dhe Bofill Tower e Agron Papulit.  /oligarkia


Shtuar 20.06.2023 09:33