Njëri prej vëllezërve të 41-vjeçares Bedrie Loka, e cila i dha fund jetës duke pirë fostoksinë pasi dyshohet se është dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht nga bashkëshorti i saj, Xhemal Loka, dhe është denigruar nga një profil fals në rrjetin social “TikTok”, ka deklaruar se e motra është “vrarë nga burri i saj”.
Në një prononcim për News24, vëllai i të ndjerës është shprehur se e motra ka pasur shenja dhuna, pavarësisht se nga ekspertiza ligjore nuk ka rezultuar diçka e tillë.
Ai është shprehur se “spitali thotë që nuk është rrah, fëmijët thonë që është rrahur”.
“E ka mbyt burri i vet, jam më se i bindur, kam rrethanat, kam fëmijët. Nuk mendoja se do e çonte motrën në këtë pikë. 23 vite nuk i ka parë ditë të bardha në atë derë. Një fjalë të dobët për të në atë lagje nuk ka thënë, e kanë respektuar.
Isha në Greqi, më mori nusja në telefon, ka ngrën Bedria helm. Erdha në varrim. I kam marrë nipat edhe mesat, nuk i lë ata. Ca është pasuria e saj nuk kanë për ta gëzuar. Spitali thotë që nuk është rrah, fëmijët thonë që është rrahur”, tha vëllai i të ndjerës.
Ndërkohë edhe kushëriri i Bedrie Lokës është shprehur se e ndjera kishte shenja dhune në krahun e majtë. Sipas tij, edhe infermierët i kanë thënë që ishte e dhunuar.
Ndër të tjera, ata janë shprehur se do të kërkojnë ekspertize të re ligjore për të zbardhur deri në fudn ngjarjen.
“Ka pasur shenjë dhune në krahun e majtë. Doktori ka thënë që nuk është dhunuar. Doktoreshat i kanë treguar vëllai tjetër që është e dhunuar. Do bëjmë ekspertizë tjetër. Nuk e lëmë më kaq”, deklaroi kushëriri i viktimës.