Kishte humbur, SPAK gjen kontratën origjinale të koncesionit të sterilizimit

Dy ditë më parë u raportua se kontrata origjinale 10-vjeçare e firmosur mes shtetit dhe biznesmenit Ilir Rrapaj të arrestuar për mashtrim ka humbur.

Ditën e sotme, Prokuroria e Posaçme ka deklaruar sot se disponon kontratën origjinale të koncesionit të sterilizimit.

Në një sqarim për mediat, dy ditë pas publikimit të lajmit, SPAK thotë se e disponon kontratën origjinale, por nuk u gjet në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas SPAK, origjinali u gjet në institucione të tjera.

“Origjinali nuk u gjet në Ministrinë e Shëndetësisë. Disponojmë kontratën origjinale të koncensionit të sterilizmit. Kontrata origjinale u gjet në institucione të tjera. Origjinali është edhe në institucione të tjera. Kotrata origjinale u sekuestrua tek koncensionari”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.

Por nuk bëhet me dije se në cilin institucion u gjet kontrata.

Sakaq, në reagimin e dy ditëve me parë, SPAK deklaroi se e kishte kërkuar gjithandej por nuk e kishte gjetur as në arkivën e ministrisë.

Kujtojmë se ish zëvendës-ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmeni i sterilizimeve Ilir Rrapaj u arrestuan të enjten nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim dokumentash në bashkëpunim lidhur me koncensionin e sterilizimit afro 100 milionë dollarë të 8 viteve më parë, i cili nga dhjetori 2015 dhe deri sot ngjalli dyshime për korrupsion, shkelje të barazisë në garë dhe mosplotësim të kritereve ligjore.

Gjashtë zyrtarë të tjerë u vendosën me të njëjtat akuza nën arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, si të dyshuar për bashkëpunim në këtë çështje./Albeu.com/