Kërkoi t’i kthenin telefonin, GJKKO rrëzon kërkesën e Jamarbër Malltezit

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Jamarbër Malltezit për kthimin e telefonit

Dhëndri i Sali Berishës kishte kërkuar kthimin e telefonit dhe kompjuterëve dhe disa materialeve të tjera shkresore, të sekuestruara nga ana e SPAK.

Gjyqtarja Irena Gjoka la në fuqi masën e sekuestros me argumentin se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë Malltezi mbahet i arrestuar për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave në lidhje me hetimet e nisura për dosjen “Partizani”.

Në njoftimin e SPAK thuhet se Malltezi ka përfituar 5.4 milionë euro apo rreth 7 miliardë lekë, me favorizimin e Berishës si kryeministër sa i takon kompleksit Partizani.

Sakaq, Malltezi në bashkëpunim me Fatmir Bektashi, është paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.

Bektashi, ka ndihmuar Malltezin që nëpërmjet “Homeplan” sh.p.k., të realizonin fshehjen e origjines së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit Malltezit, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.

Po ashtu SPAK ka vënë në sekuestro preventive 25 pasuri të Malltezit, ndër të cilat edhe vilën në Gjirin e Lalëzit. Gjithashtu i janë sekuestruar edhe 6 llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.

/albeu.com


Shtuar 16.11.2023 10:45