Kërkoi lirimin nga qelia kundrejt garancisë pasurore/ GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës, ish-presidenti mbetet në burg

Gjykata e Posaçme, ka rrëzuar sërish kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin nga qelia. Në kërkesën e tij, Meta vendosi garanci pasurore prej 50 mijë eurosh, për të ndryshuar masën e ‘arrestit me burg’, por GJKKO refuzoi kërkesën.

Gjatë seancës, edhe Prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, kundërshtoi kërkesën Metës për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke argumentuar se nuk ekzistojnë rrethana të reja që të justifikojnë një vendim më të lehtë.

Të lidhura

None found

Kllapi deklaroi se mbrojtja nuk ka paraqitur prova konkrete, që tregojnë ndryshim të kushteve apo zbutje të nevojave të sigurimit.

Prokurori tha ndër të tjera, se veprimtaria kriminale për të cilën akuzohet Meta shtrihet nga 2009 deri ne 2017, duke theksuar se “ne mendojnë se rrezikshmëria shoqërore është evidente”.

“Mbrojtja nuk paraqiti asnjë provë se çfarë ka ndryshuar, por vetëm argumente të përgjithshme. Mbrojtja ju referua vendimit unifikues të 4 majit. Nëse nuk ka asnjë rrethanë që ka zbutur nevojat e sigurimit, apo dyshimin e arsyeshëm ne mendojmë se nuk ka asnjë rrethanë të ndryshuar. Veprimtaria kriminale për të cilën akuzohet i pandehuri Ilir Meta shtrihet nga 2009 deri ne 2017 dhe për veprën e “deklarimit të rremë” është akuzuar vetëm njëherë. Një periudhë e gjatë kohore. Ne mendojnë se rrezikshmëria shoqërore është evidente. Në këto rrethana vendimi unifikues nuk sjell asgjë të re në këtë proces. Nuk ka zbutje të nevojave të sigurimit. Ne 8.06.2026 Kushtetuesja ka shqyrtuar proporcionalitetin e masës dhe e ka konsideruar proporcionale. Kërkesa e të pandehurit për zëvendësim të masës është e pabazuar në ligj dhe prova. Kërkojmë rrëzimin e saj”, tha Prokurori Sotir Kllapi në seancë.

Ilir Meta, u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash.

Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.


Shtuar 11.05.2026 13:33

Tags: , , ,