Katër kandidatë për kryetar të LSDM-së në Maqedoni

Katër kandidatë kanë aplikuar për kryetarë të LSDM-së në Maqedoninë e Veriut.

Komisioni Qendror Zgjedhor i kësaj force politike, sot do t’i verifikojë kandidaturat për kryetar të partisë, pasi afati për aplikim skadoi dje në orën 16:00.

Kandidaturën për kryetar të LSDM-së e kanë paraqitur Dimitar Kovaçevski, zëvendësministër aktual i Financave, Frosina Remenski, ish-deputete dhe nënkryetare e LSDM-së, Vllastimir Aleksovski, anëtar dhe aktivist i LSDM-së nga organizata komunale e partisë nga Kumanova dhe Jovan Despotovski drejtori i Drejtorisë së Zonave të Zhvillimit Industrial Teknologjik.

Zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, pas rezultatit të dobët të arritur në zgjedhjet lokale.

Me vendim të Këshillit Ekzekutiv janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda-partiake, që do të mbahen më 12 dhjetor të vitit 2021./albeu.com/


Shtuar 4.12.2021 11:33