Kryetarja e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, bëri të ditur se ka dorëzuar në SPAK dy kallëzime penale ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Njëri prej tyre lidhet me çështjen e “Bankers”, ndërsa tjetri me një park fotovoltaik.
Sipas Kalasë, kallëzimi për parkun fotovoltaik është regjistruar dhe ajo është thirrur nga Prokuroria e Posaçme për të dhënë shpjegimet e saj. Ajo deklaroi se thirrja dhe regjistrimi i kallëzimit janë kryer në një kohë rekord.
Të lidhura
None found
“Dje u paraqita për t’u pyetur lidhur me kallëzimin. Prokurori kishte vlerësuar se procedurat ishin kryer në kohë rekord”, tha Kalaja.
Për dosjen “Bankers”, ajo deklaroi se po zhvillohet një hetim i thelluar. Në materialet që ka paraqitur në SPAK, Kalaja pretendon se mund të jenë konsumuar vepra penale si ushtrimi i ndikimit të paligjshëm, korrupsioni pasiv, përfitimi i interesave të paligjshme, pastrimi i produkteve të veprës penale, si dhe krijimi i një organizate kriminale ose grupi të strukturuar kriminal.
Ajo tha se këto dyshime lidhen me Belinda Ballukun, ish-ministren e Financave Anila Denaj dhe zyrtarë të tjerë, përfshirë edhe ministrin aktual të Financave, në lidhje me një detyrim prej rreth 123 milionë eurosh.
Kalaja pretendoi se detyrimi ndaj kompanisë “Bankers” fillimisht është pezulluar dhe më pas është falur nga Belinda Balluku dhe Anila Denaj, ndonëse, sipas saj, ato nuk kishin kompetencë ligjore për një vendim të tillë, pasi kjo përgjegjësi i takon vetëm Drejtorisë së Përgjithshme.
Ajo e cilësoi çështjen si një “Becchetti numër 2” dhe kërkoi që hetimi të jetë i plotë.
Në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila la në fuqi masën e pezullimit të Belinda Ballukut nga ushtrimi i funksioneve, Kalaja tha se e përshëndet vendimin. Megjithatë, ajo u shpreh se masat duhej të ishin më të rënda, duke e lidhur këtë qëndrim me rastet kur, sipas saj, drejtues të opozitës janë arrestuar pa iu komunikuar akuza.
Kalaja ngriti pikëpyetje edhe për ecurinë e hetimeve. Ajo deklaroi se prokurori Prençi duhej ta dorëzonte dosjen brenda prillit ose të kërkonte zgjatjen e afatit, ndërsa tha se nuk ka informacion nëse një veprim i tillë është ndërmarrë.
“Mungesa e veprimeve që nga marsi për heqjen e imunitetit më krijon dyshimin se çështja po amnistohet. Veprat penale mund të rikualifikohen dhe rreziku mund të shkojë deri në 35 vite burg. Ligji parashikon që dosja duhet të përfundojë brenda 6 muajsh, pavarësisht vendimit që do të merret”, u shpreh Adriana Kalaja.
