Jo vetëm në Ukrainë, edhe Moldavia mbetet pa energji elektrike për shkak të sulmeve ruse

Qyteti perëndimor i Lvivit ka mbetur pa energji elektrike, pas sulmeve të njëpasnjëshme ruse që janë raportuar në disa qytete, përfshirë kryeqytetin Kievin.

Shteti fqinj, Moldavia, ka raportuar po ashtu ndërprerje të energjisë, ndonëse nuk është goditur drejtpërdrejt.

Kryetari i Lvivit u ka bërë thirrje banorëve që të gjejnë vende strehimi, derisa zyrtarët e rajonit të Kievit kanë thënë se janë dëmtuar shtëpi dhe infrastrukturë kritike.

Rusia ka shtuar së fundi sulmet ndaj rrjetit ukrainas të energjisë.

Zëvendëskryeministri moldav, Andrei Spinu, ka thënë që më shumë se gjysma e Moldavisë ka mbetur pa rrymë.

“Ndërprerje të mëdha të energisë në Moldavi, pas sulmeve të sotme ruse në infrastrukturën ukrainase të energjisë”, ka thënë ai.

Besohet që sulmet ruse kanë shkatërruar gjysmën e sistemin ukrainas të energjisë dhe miliona njerëz kanë mbetur pa rrymë, teksa dimri afrohet.

Ditëve të fundit, autoritetet u kanë thënë banorëve që duhet të konsiderojnë edhe mundësinë e largimit nga shteti për të zvogëluar kërkesën në rrjetin energjetik.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Shtuar 23.11.2022 16:15