Ish-kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe i arrestuar për shpërdorim detyre dhe abuzim me tenderat, i është drejtuar sërish Apelit për të kërkuar lirinë, kësaj here me pretendimin se vuan nga disa sëmundje dhe e ka të pamundur të qëndrojë në qeli.
Sipas avokatit, i cili ka paraqitur pretendimet e Tushes, ai vuan prej vitesh nga sëmundje kardiake, diabet, gur në tëmth me kriza të vazhdueshme akte, alergji ndaj disa ushqimeve si dhe problemet me mushkërinë.
“Z. Tushe vuan prej vitesh nga sëmundje kardiake, diabet, gur në tëmth me kriza të vazhdueshme akute, nga mushkëria si dhe është alergjik/intolerant ndaj disa ushqimeve. Problemet shëndetësore të tij provohen nga të dhënat e pasqyruara në dokumentat e poshtëshënuara”, thuhet në shkresë.