Investigimi i “Piranjave” për skemën me votat në Tiranë, PD: Drejtësia të veprojë

PD ka denoncuar atë që e konsiderohen pjesë të manipulimit të madh me votat në Tiranë duke marrë persona që votojnë majtas nga zonat e tjera për t’I sjellë të votojnë në kryeqytet.

Kjo u publikua në emisionin “Piranjat” ku persona të ndryshëm jetonin jashtë Bashkisë së Tiranës, por ishin sjellë këtu me kontrata qiraje fiktive në mënyrë që të votonin këtu.

Silvi Bardhi tha se kjo është një skemë kriminale dhe se drejtesia duhej të vepronte.

Deklarata e plotë

Erion Veliaj, Edi Rama dhe e gjithë banda kriminale e batërdisë zgjedhore të cilët pushtuan qendrat e votimit, janë ideatorët dhe urdhëruesit e tjetërsimit të votës në Tiranë dhe në të gjithë vendin.

Administrata shtetërore si një polici elektorale zbarkoi në çdo cep të Shqipërisë duke intimiduar, blerë, shantazhuar apo penguar shqiptarët të votojnë të lirë.

Ne disponojmë prova dhe fakte dhe tashmë këto dëshmi ndodhen në SPAK.

Prova dhe dëshmi janë publikuar si kurrë ndonjëherë live edhe në media teksa gazetarët raportonin.

Në sytë e medias fleta e votimit u fut në kuti pa kaluar më parë në vendvotim, në sytë e medias listat e partisë – shtet qëndronin në tavolinën e Komisionit ku mbahej shënim çdo person i detyruar për të votuar, në sytë e medias grupe të strukturuara orientonin votuesit se për kë duhet të votonin.

Është po media e cila ka zbuluar një tjetër skandal të manipulimit të votave në Tiranë.

Emisioni investigativ “Piranjat” ka zbuluar rastin flagrant dhe të pakundështueshëm të drejtorit të Bashkisë Tiranë Fatjon Dhuli dhe mikut të tij Hysni Karaj të cilët pak ditë përpara mbylljes se afatit ligjor kanë dhënë me qera 3 apartamentet e tyre në njësinë administrative nr.7 për 8 banorë të cilët janë me pashaportizim në njësinë 7 por që nuk kanë banuar asnjë ditë në këto apartamente.

8 banorët rezultojnë të jenë nga qendra administrative Bërxullë e Vorës, Babrroi i Kamzës, Bathorja dhe Librazhdi.

I kapur në gënjeshtër nga media Drejtori i Veliajt, Fatjon Dhuli është justifikuar se i ka të afërm, ndërsa miku i tij Hysni Karaj nuk u kujtoheshin qeraxhinjtë. I gjendur nën presion Drejtori i Veliajt dhe miku i tij ka kërcënuar gazetarët.

Kjo është dëshmi e mekanizmit të manipulimit të votave në Tiranë. Mekanizëm i ndjekur kokë e këmbë nga paniku i humbjes së thellë të Veliajt.

Për këtë fakt, Drejtori i urdhëruar nga Erion Veliaj;, Fatjon Dhuli dhe miku i tij Hysni Karaj si shërbëtorë të votës së vjedhur duhet sot të jenë përpara drejtësisë.

Erion Veliaj si vjedhës, manipulues dhe marifetxhi i votave është kandidat qelie për krimin elektoral të ndodhur më 14 maj dhe korrupsionin galopant që ka kapur Bashkinë e Tiranës.

Ai është përgjegjës për deformimin e vullnetit të lirë të qytetarëve të cilët jetojnë ccdo ditë në trysninë e gjobave bashkiake, taksave të larta dhe vjedhjes së tyre ditën për diell.

Opozita nuk do të ndalet por do të denoncojë çdo ditë e në vazhdim të gjithë krimin elektoral të 14 majit. Vota e lirë dhe e ndershme është kusht për rikthimin e pluralizmit dhe demokracisë në vend.


Shtuar 28.05.2023 11:33