Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka, tha se dje zyrtarët e qeverisë kanë inauguruar shkollën “26 Nëntori”, gjë që për banorët kjo është tallje, sepse ata e dinë se kjo shkollë ka ekzistuar që në vitet 1990.
Sipas Cakës, kjo shkollë u dëmtua nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dhe për 4 vite e gjysëm, nxënësit e kësaj shkolle janë sorollatur duke zhvilluar mësim me turne në gjimnazin “Besnik Sykja”.
Gjithashtu, ajo thekson se ne kemi treguar gjithmonë me fakte se sa pak të rëndësishme janë institucionet arsimore dhe infrastruktura e tyre për Rilindjen, e cila ka degraduar arsimin, si në terma financiarë, me paga të ulëta dhe keqtrajtim të mësuesve
Postimi:
“Mashtrimet e Rilindjes nuk kanë fund!
Ditën e djeshme, qeveria e Rilindjes shpërndau me shpejtësi një lajm të fabrikuar ku reklamonte se në Tiranë u hap një shkollë e re me emrin “26 Nëntori”. Për të gjithë banorët e Tiranës, sidomos ata të njësisë nr. 5, ku është e lokalizuar shkolla, ky lajm ishte një tallje, pasi të gjithë e dinë që kjo shkollë nuk është e re, por ekziston prej së paku që nga vitet ’90.
Kjo shkollë u dëmtua nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dhe për 4 vite e gjysëm, nxënësit e kësaj shkolle janë sorollatur duke zhvilluar mësim me turne në gjimnazin “Besnik Sykja”. Por, çfarë thoshte Edi Rama për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti?
Rama premtoi se të gjitha shkollat e dëmtuara nga tërmeti do të rindërtoheshin brenda vitit 2020 dhe viti i ri shkollor 2020-2021 do të niste në shkolla të rikonstruktuara, por këtë premtim si shumë të tjerë nuk e mbajti, duke i lënë nxënësit dhe prindërit e tyre në harresë të plotë.
Kjo gënjeshtër, që zgjati plot 4 vite e gjysëm, vjen si pasojë e vjedhjes masive që i është bërë fondeve të dedikuara për rindërtimin, pasi Edi Rama, së bashku me Veliajn, u kujdesën të shembnin komplekse të tëra banimi, shpeshherë kundër dëshirës së banorëvë e vendimeve të gjykatave, me qëllimin e vetëm ndërtimin e kullave dhe komplekseve të miqve të tyre ndërtues.
Kjo gënjeshtër, do të kishte zgjatur akoma edhe më shumë, nëse nuk do të ishte për BE-në, e cila mori përsipër të rindërtonte shkolla të dëmtuara nga tërmeti i 2019-s.
Në rikonstruktiin dhe rihapjen e shkollës “26 nëntori”, qeveria dhe Bashkia nuk kanë asnjë meritë dhe shfaqja e djeshme ishte po aq e shëmtuar sa portali i mësuesve, të cilin Ministrja e Arsimit u përpoq t’a shiste si sukses. Dështimin e portalit të mësuesve, më mirë edhe se Ministrja, e dinë mbi 4.000 mësuesit që kanë vite pritjeje dhe që nuk punësohen, ndërsa hajrin atij portali, ia kanë parë vetëm patronazhistët dhe anëtarët e Rilindjes.
Kemi treguar gjithmonë me fakte se sa pak të rëndësishme janë institucionet arsimore dhe infrastruktura e tyre për Rilindjen, e cila ka degraduar arsimin, si në terma financiarë, me paga të ulëta dhe keqtrajtim të mësuesve, ashtu edhe në terma cilësorë, ku shkollat shqiptare braktisen çdo ditë e më shumë, numri i nxënësve bie dhe kurrikulat janë më skandalozet në historinë e Shqipërisë. Për Rilindjen, vjedhja do të jetë gjithmonë prioritare dhe kjo faktohet nga veprimet e koordinuara mes qeverisë dhe bashkisë, të cilat në tetor të vitit që lamë pas, hoqën 6 milionë euro nga buxheti i arsimit dhe ia kaluan pagesa inceneratorit që nuk ekziston dhe që është nën hetim e sekuestro.
Dje ishte dita e shënuar e 7 Marsit, festa e mësuesve, shkollave dhe arsimit në tërësi dhe në kuadër të tyre, dua t’ju kujtoj se Partia e Lirisë do të vazhdojë të ndjekë dhe të bëjë gjithçka, në Kuvendin e Shqipërisë dhe në qeverisjen vendore, për të shëruar plagët e thella dhe krizën e rëndë ku ka hyrë arsimi në Shqipëri”.