Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi mundësinë e një kërkese të re për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kreu i SPAK, Klodian Braho deklaroi se çështja mbetet ende në hetim dhe nuk mund të parashpallen vendimmarrjeT.
“Nuk do të kishte çështje nëse nuk do të kishte shkelje të ligjit”, u shpreh Braho, duke theksuar se prokuroria e ka bërë të qartë qëndrimin e saj dhe ka vijuar hetimet edhe pas mospranimit të një kërkese të mëparshme.
Të lidhura
Para deputetëve në Komisionin e Ligjeve, Klodian Braho, theksoi gjithashtu se çdo vendim i ardhshëm do të bazohet në ligj dhe prova që do të sigurohen gjatë hetimit, duke marrë parasysh edhe arsyetimin e Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së mëparshme.
Oerd Bylykbashi? A do ketë një kërkesë tjetër për heqjen e imunitetit të Ballukut?
Klodian Braho: Nuk do kishte çështje nëse nuk do kishte shkelje të ligjeve. Dy gjëra mund të them, ju e keni të qartë qëndrimin e prokurorisë, e keni të qartë edhe mënyrën si prokuroria ka vazhduar hetimet pas një mospranimi kërkese dhe faktet tregojnë se Prokuroria ka bërë punën.
Unë nuk mund të parashpall një vendimmarrje, çështja është në hetim. Nuk mund të them si do jetë vendimmarrja, do ketë ose jo? Por ajo që ju garantoj është se do jetë një vendimmarrje e bazuar në ligj, në prova që do sigurojë hetimi, duke marrë parasysh edhe arsyet se pse Kuvendi ka vendosur rrëzimin e kërkesës.
Po ashtu, Braho u shpreh se mungesa e një mase sigurimi mund ta dëmtojë një hetim, por theksoi se nuk pengon punen e SPAK per hetim të pavarur.
Braho shprehu edhe mendimin e tij personal, se imuniteti per deputetët apo ministrat nuk duhet te ekzistojë fare.
“Për çështjen konkrete, qëndrimi i prokurorisë është publik. Sa i takon situatës kushtetuese dhe ligjore, imuniteti ndalon vendosjen e masës së sigurimit, por nuk e ndalon prokurorinë që të zhvillojë hetimet të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase mund ta vështirësojë një hetim të caktuar, edhe mund ta dëmtojë, por ne nuk jemi institucioni që miratojmë ligje. Ne kemi këtë kuadër kushtetues ligjor dhe jemi të detyruar ti bindemi këtij kuadri kushtetues ligjor. Të ishim ne pala që miratonim ndryshimet kushtetuese ligjore personalisht jam i mendimit se nuk duhet të ketë imunitet fare. Por ky është kuadri ligjor dhe kushtetues. Prokuroria do angazhohet me ato mjete ligjore që ka në kompetencë të saj”, tha në fjalën e tij Braho.

