Imazhet satelitore, Rusia tenton të forcojë kufirin e Krimesë veriore

Ministria britanike e Mbrotjes njoftoi se ekzistojnë imazhe satelitore që tregojnë se Rusia “ka bërë përpjekje të posaçme” për të forcuar kufirin verior të rajonit të pushtuar prej saj, Krimesë, përfshirë krijimin e “një zonë mbrojtëse me shumë shtresa, pranë fshatit Medvedevka”.

Në raport thuhet gjithashtu se Rusia ka hapur “qindra kilometra llogore brenda territorit rus të njohur ndërkombëtarisht, përfshirë në rajonet Belgorod dhe Kursk”.

Sipas ministrisë britanike të Mbrotjes llogoret tregojnë, se Rusia është e shqetësuar se Ukraina mund të shënojë “një përparim të madh”. Megjithatë, thuhet në raport, një pjesë e punës së kryer “ka të ngjarë të jetë urdhëruar nga komandantët lokalë dhe udhëheqësit civilë, në një përpjekje për t’i dhënë zë qëndrimeve zyrtare, se Rusia po kërcënohet nga Ukraina dhe NATO”.

Shtëpia e Bardhë vlerësoi të hënën se ushtria ruse ka pësuar në pesë muajt e fundit 100,000 të vrarë ose të plagosur në mesin e saj, në luftimet kundër trupave të Ukrainës në rajonin e Bakhmutit.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare në Shtëpisë së Bardhë John Kirby, u tha gazetarëve se shifra, bazuar në vlerësimet e zbulimit amerikan, përfshin më shumë se 20,000 të vdekur, gjysma e tyre nga grupi ‘Wagner’. “Ofensiva në Bakhmut ka ngecur e ka dështuar”, tha zoti Kirby.

Ndërkohë të dielën zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës njoftoi se si pasojë e sulmeve ruse, në të gjithë vendin janë vrarë të paktën 477 fëmijë dhe plagosur rreth 1000 të tjerë, që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë.

Shumica e rasteve janë dokumentuar në rajonet Donetsk dhe Kharkiv, ku respektivisht janë vrarë ose plagosur 452 dhe 275 fëmijë. Në raportin e publikuar në aplikacionin e mesazheve ‘Telegram’, thuhet se numri i viktimave në mesin e fëmijëve pritet të jetë më i lartë, pasi shifra aktuale nuk përfshin të dhëna nga territoret e pushtuara nga Rusia ose ku përplasjet e armatosura në terren mes palëve, janë ende në vazhdim. /VOA


Shtuar 1.05.2023 21:30