Një automjet, i cili vinte nga Shqipëria, ka thyer traun e doganës greke të Mavromatit (Qafe-Botë).
Shoferi, i identifikuar si Gardjan Mirukaj, 39 vjeç, banues në Lezhë ,nuk iu bind urdhrit për kontroll, por theu traun dhe u fut në tokën greke.
6 mjete të policisë greke janë vënë në ndjekje të automjetit për rreth 30 km deri sa i kanë bllokuar rrugën brenda qytetit të Igumenicës.
Pas kësaj ngjarjeje, ka reaguar policia e Vlorës, ku thotë se falë bashkëpunimit policisë shqiptare me atë greke, u bë e mundur që të ndalohej automjeti.
Gjithashtu policia sqaron se në automjet nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë/Sqarim
Falë bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Sarandë dhe homologeve Greke, ndalohet drejtuesi i një automjeti, i cili nuk iu bind Policisë Kufitare Shqiptare dhe asaj Greke, duke kaluar në menyrë të jashtëligjshme pikën e kufirit në Qafë-Botë.
Ditën e sotme, në pikën kufitare Qafë-Botë, një automjet tip “Volksëagen” me drejtues shtetasin Gardjan Mirukaj, 39 vjeç, banues në Lezhë, ka kaluar pikën kufitare duke mos iu bindur urdhrit të Policisë për të kryer kontrollin dhe verifikimin e dokumentacionit, duke kaluar në territorin Grek në menyrë të jashtëligjshme dhe duke mos iu bindur për ndalim dhe Policisë Greke.
Si rezultat i bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Sarandë falë dhe shkëmbimit në kohë të informacionit, është bërë i mundur ndalimi i këtij shtetasi, në hyrje të Igumenicës, ku gjatë kontrollit të ushtruar në automjet nuk i është konstatuar asnjë send i jashtëligjshëm.
Nga ana e Komisariatit të Policisë Sarandë do të kryhen veprimet e mëtejshme proceduriale.