Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Raphael Grossi, siguroi sot se nuk ka “asnjë rrezik” për sigurinë e termocentralit bërthamor Zaporizhia, në Ukrainë, pas shkarkimit të drejtorit të tij nga rusët.
“Nuk ka absolutisht asnjë rrezik,” tha Grossi në margjinat e një vizite në Jerevan, Armeni. Ai u përgjigj kështu kur u pyet nëse ekziston rrezik për sigurinë e centralit bërthamor më të madh në Evropë, pas dëbimit, të hënën, të Ihor Murasov, drejtorit të tij, i cili ishte arrestuar dhe mbajtur për dy ditë nga rusët.
“Gjëja më e rëndësishme për Murasovin është se ai u lirua dhe është përsëri me familjen e tij”, komentoi Grossi.
IAEA tha se është ende “e paqartë” se kush do të drejtojë tani stacionin.
Të hënën, Murasov u lirua në territorin e kontrolluar nga Kievi. Ai ishte arrestuar nga një “patrullë ruse” teksa po largohej nga centrali bërthamor në qytetin Enerhodar.
Centrali bërthamor kontrollohet që nga marsi nga forcat ruse, por ndodhet shumë afër vijës së frontit, midis territoreve të kontrolluara nga Kievi dhe atyre të pushtuara nga Rusia. Të dy palët kanë akuzuar njëra-tjetrën prej muajsh për bombardimet në objektet e stacionit.
Grossi do të vizitojë Rusinë dhe Ukrainën në ditët në vijim për të diskutuar sigurinë bërthamore./albeu.com